Edi Reja debuton në Reikjavik, Shqipëria kërkon fitore ndaj Islandës

Sport

Kombëtarja Shqiptare do të zbresë sot në orën 15:00 në fushë, në Reikjavikun e largët, për t’u përballur me Islandën, në sfidën e tretë eliminatore të Europianit 2020, teksa në stol do të debutojë trajneri italian Edi Reja.

Kuqezinjtë vijnë në këtë takim të pozicionuar në vendin e tretë, me 3 pikë, pas një humbjeje ndaj Turqisë në Shkodër dhe një fitoreje në transfertë ndaj Andorrës, ndërsa po kaq pikë ka edhe Islanda, pas dy ndeshjeve të para.

Kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin që në ditët e fundit të majit dhe pas rreth 10 ditësh përgatitje në kompleksin Tropikal, në Durrës, u zhvendosën javën e fundit në Frankfurt, një qytet me klimë të ngjashme me atë të Islandës.

Me ardhjen e Rejës në stol, priten edhe risi në rreshtimin taktik të kuqezinjve, pasi dihet që italiani preferon një mbrojtje me 3, ndërsa edhe në repartet e tjera priten surpriza, si në numra, ashtu edhe në emra.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nga ana tjetër, përballë do të jetë një Islandë që pasi arriti “majat”, duke siguruar pjesëmarrjen në botërorin “Rusi 2018”, ka filluar rënien dhe në 17 ndeshjet e fundit, numëron 10 humbje, 6 barazime dhe vetëm një fitore, atë ndaj Andorrës në mars të këtij viti.

Në këtë takim debutues, trajneri Reja nuk do të mund të mbështetet te një pjesë e mirë e titullarëve, pasi Mavraj është i pezulluar, ndërsa Grezda, Binaku, Gjimshiti, Strakosha e Memushaj, janë të dëmtuar dhe nuk janë vënë në dispozicion të italianit.

Synimi i Kombëtares Shqiptare në këtë takim është që të mos dalin pa pikë, pasi Islanda, ashtu si Turqia, janë rivalët direkt për vendin e dytë, që të siguron një biletë për fazën finale të kampionatit Europian 2020 dhe shmangia e humbjes në Reikjavik, do të ishte një plus për kuqezinjtë, transmeton Supersport.

Formacioni i mundshëm: Berisha; Ismajli, Dermaku, Mihaj; Hysaj, Lenjani, Xhaka, Abrashi, Basha; Uzuni, Cikalleshi.

ME TE LEXUARAT