Presidenti i Sasuolos: Ja si do e ndihmoj Milanin të kualifikohet në Champions

Kliko per me shume info

Nuk e heq nga celulari fotografinë e Milanit, megjithëse aparatin e mban të fshehur, madje, që kur ishte president i “Confindustria”, por tashmë i duhet të jetë i baraslarguar, si në biznes, ashtu edhe në çështjet e zemrës. Në fakt, zemra nuk komandohet dhe Xhorxho Skuinci, president i Sasuolos, s’e ka aspak problem të qenurin milanist. Nesër do të tentojë që t’i bëjë një dhuratë Milanit duke ndalur Atalantën, por nuk është e lehtë, siç e pranon edhe vetë, teksa shpjegon:

“E shoh të vështirë që Sasuolo të ndalë Atalantën. Do të përballemi me një ekip të fortë që e ka moralin e lartë. Kanë një ekip simpatik, një trajner të zotin dhe drejtues niveli. Sasuolo, dhe këtë e them në respekt të kampionatit, do të bëjë gjithçka për të fituar, por ka për të qenë një ndeshje e komplikuar”. Në intervistën për “La Gazzetta dello Sport”, numri 1 i klubit zigjelbër ka folur edhe për simpatinë që ka për trajnerin e Milanit, shkruan Panorama Sport.

Kliko per me shume info

Për Skuincin, tekniku kuqezi ka bërë më të mirën e mundshme, sidomos nëse matet cilësia e organikës që ka në dispozicion. “Ne do të bëjmë maksimumin, ndaj Gatuzo të rrijë i qetë për sa i përket impenjimit. Për Rinon kam shumë simpati. Ka qenë i admirueshëm gjatë sezonit. Me lojtarët që ka, mund të them se ka bërë gjëra të mëdha. Kujtoj që në janar dhe shkurt, Milani jo vetëm që fitonte, por edhe propozonte lojë interesante. Kontributi i tij është i pamohueshëm. Me grinë e me shpirt e solli skuadrën deri në këtë pikë të sezonit, kur me vendin e katërt i ndan vetëm një pikë”, sqaroi Skuinci.

KONFLIKT “INTERESI” – Jeta është plot me të papritura. Megjithëse president i Sasuolos, 76-vjeçari ka një lidhje të veçantë edhe me Atalantën. Ai është mik i familjes Perkasi, e cila zotëron klubin dhe e ka ngritur në nivele të paparashikueshme deri një dekadë më parë. Rrëfimi i Skuincit përfundon me një urim, fundja, duke parë rrethanat nuk mund të bëjë ndryshe. “Në zemrën time, rendi i ekipeve është Sasuolo, Milan dhe Atalanta. Mund ta merrni me mend se në çfarë pozicioni jam. Më akuzojnë se përfitoj edhe unë nëse Atalanta shkon në Champions, sepse ata luajnë në stadiumin tonë, por në këto rrethana jam i detyruar të shpjegoj se impianti ynë nuk është dhënë me qira. Miqtë paguajnë faturat e dritave, shërbimeve dhe stjuartëve, asnjë qindarkë më shumë. Skuadra ime do të shfaqë profesionalizëm për 90 minuta, në fund le të fitojë më i miri”, përfundoi Skuinci.

loading...