Dënojmë përmendjen e gjakut! OSBE reagon ndaj protestës së opozitës

Aktualitet

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar për protestën e sotme të opozitës, ndërsa bën apel që protesta të jetë paqësore duke shtuar se aktet e dhunshme janë të papranushme.

Në brendësi të deklaratës, OSBE thekson se hedhja e shashkave, gazit dhe gurëve është e paligjshme. Gjithashtu mes tjerash pohon se reagimi i tepruar i efektivëve të Policisë së Shtetit nuk mund të pranohet, ndërsa dënon me forcë deklaratat për derdhje gjaku pak ditë para protestës kombëtare të opozitës së bashkuar.

DEKLARATË E PREZENCËS SË OSBE-së NË SHQIPËRI :

E tërë familja e OSBE-së — Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm e për Evropën i Sllovakisë, Miroslav Lajčak, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella — e dënuan fuqishëm përdorimin e dhunës, nga ana e protestuesve, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 11 maj 2019. Ata theksuan të drejtën për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore, por nënvizuan se dhuna është e papranueshme dhe se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. E sjellim në vëmendje këtë deklaratë përpara protestës së 25 majit 2019.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Deklarata mbetet po aq e vlefshme sa edhe dy javë më parë. Koktejet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme; reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike.

ME TE LEXUARAT