Kritikat për reformën në drejtësi, zyrtarja e BE i përgjigjet Metës: Ai ka frikë...

Politikë

Në një shkrim të gjatë të publikuar nga Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë, Drejtoresha për Ballkanin Genoveva Ruiz Calavera përqendrohet kryesisht te curia e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i konsideruar si elementi kyç i Reformës në Drejtësi. Zonja Calavera e cila mban dhe postin e Shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), organi i ngritur nga Bashkimi europian në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, në mbështetje të procesit të njohur ndryshe dhe si vetting, foli për rezultate të prekshme, ndërsa përmendi se kur ka kaluar pak më shumë se një vit janë të paktën 140 vendime të marra, dhe se janë krijuar tashmë organe të reja brenda gjyqësorit.

Ajo thekson se “është e rëndësishme të sigurohet monitorimi nga afër i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive në progresin e tij. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit, në formë të padrejtë dhe të papranueshme, duke përfshirë edhe rastet kur i drejtohet personalisht anëtarëve individualë të institucioneve të vetingut”, shkruan zonja Calavera, ndërsa shton se “disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet”.

Vlerësimet e zonjës Calavera vijnë vetëm pasi dy ditë më parë, presidenti Ilir Meta ngriti pikëpyetje serioze mbi rezultatet e reformës "Po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë kushtetuese", u shpreh zoti Meta, duke shtuar gjithashtu se "reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve, u shpreh ai duke kritikuar për vendime të ndikuara politikisht dhe misionin europian të ndihmës juridike Euralius.

Sipas zonjës Calavera “mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin. Megjithatë, shtoi ajo, procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas zyrtares europiane “është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shqiptare, partive politike, si dhe e shoqërisë civile, që të sigurojnë se, përmes këtij procesi, forcimi i pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit është i garantuar”. Ajo e mbyll shkrimin e saj duke nënvizuar se Bashkimi europian, dhe Shtetet e Bashkuara, si pjesë e ONM-së, do të vazhdojnë ta mbështesin këtë proces në mënyrë që populli shqiptar të përfitojë nga reforma dhe të krenohet me ndryshimin që kërkoi dhe që e ka dëshiruar për një kohë kaq të gjatë.

Komentet e dy ditëve më parë të Presidentit Ilir Meta u shoqëruan dhe me një reagim të Delegacionit të Bashkimit europian, ambasadori i të cilit, Luigi Soreca, edhe sot theksoi se "Reforma në Drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. Ky është një proces kompleks, por reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme, dhe është me rëndësi të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë".

Sipas ambasadorit Soreca, “reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit në BE në Shqipëri duhet të jetë një përparësi për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve”.

Ambasadori Soreca i bëri këto komente gjatë prezantimit të metodologjisë për “Monitorimin e integritetit gjyqësor”, një dokument i përgatitur nga Instituti për Studime Publike & Ligjore, i cili i referohet praktikave ndërkombëtare dhe që synon të ndihmojë aktorët e shoqërisë civile si mbikqyrës të integritetit gjyqësor, por edhe gjykatave dhe gjyqtarëve në përpjekjet për rritjen e integritetit, gjatë punës së tyre, e për rrjedhojë dhe në rritjen e besimit të publikut tek drejtësia.

Sipas ambasadorit Soreca, Reforma në Drejtësi i ka dhënë një impuls të ri pjesmarrjes së Shoqërisë civile në Shqipëri, e cila siç tha ai nuk është vetëm vëzhguese apo vlerësuese e sistemit, por dhe një aktor. Zoti Soreca theksoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë shqoërisë civile në mënyrë që ajo të jetë pjesë aktive e sistemit të ri të Drejtësisë.

ME TE LEXUARAT