Zyra e BE reagon kundër Metës: Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur

Kliko per me shume info

Presidenti Meta tha në Konferencën e Qendrës Marshall se Shqipëria është në një krizë serioze, pasi në 2008 me ndryshimet në Kushtetutë vendi kaloi nga një sistem parlamentar në një sistem të mbyllur partiak, ndaj parlamenti nuk është funksional, sepse “partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet e tyre, por ka qenë jofunksional edhe kur kanë qenë ata”.

“Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve” – tha zoti Meta.

Kliko per me shume info

Presidenti Meta tha se kërkoi angazhimin e delegacionit të BE dhe Misionit Euralius, duke i ftuar ata bashkë me gjithë aktorët vendas, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e komisionit të ligjeve që të unifikonin një qëndrim të përbashkët, por ditën e fundit Euralius-i i çoi përgjigje zyrës së Presidentit që në takim nuk vinte dot sepse “ne jemi mision teknik”.

“Kjo do të thotë që kanë marrë porosi politike. Unë nuk e di dhe sot nga kush u mor ajo porosi politike. Ky EURALIUS si i jep një vërtetim një kryetari shumë të nderuar të Komsionit të Ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim të hapur me Kushtetën e Shqipërisë. Kjo nuk mund të jetë drejtësi evropiane, në rast se nuk e shikojmë dhe nuk e vlerësojmë. Kjo nuk do të luftojë më shumë korrupsionin, krimin e organizuar dhe të garantojë të drejtat e njeriut” – tha Presidenti Meta.

Lidhur me këto kritika, Delegacioni i BE në Tiranë publikoi një deklaratë në mbrëmje ku theksoi se profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar, ndërsa ndihma e misionit është provuar e domosdoshme për të çuar përpara axhendën e reformave. Delegacioni deklaroi se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar.

“EURALIUS punon ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese” – shtoi Delegacioni i BE-së në deklaratë.
BE deklaroi se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. “Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë” – deklaroi delegacioni i BE-së.

Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, delegacioni i BE tha se sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, duhet të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me përparësi plotësisht dhe në kohën e duhur.

“Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një përparësi për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do ta vazhdojë mbështetjen për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të” – theksoi delegacioni i BE-së.

Replikat e sotme mes presidentit Meta dhe kryeministrit Rama shënojnë një zhvillim të ri në situatën e acaruar politike të Tiranës, kur qeveria po shkon me vendosmëri drejt zgjedhjeve vendore, ndërsa opozita po vazhdon me po aq këmbëngulje serinë e protestave për të penguar zhvillimin e tyre.

loading...