Ish-zyrtarët e Kavajës fajtorë për falsifikimin e pronave në bregdet

Kliko per me shume info

Gjykata e Kavajës ka vendosur të dënojë 9 zyrtarë të akuzuar nga prokuroria për abuzimet me pronat në plazhin e Spillesë. Pas disa seanca gjyqësore gjykata ka urdhëruar me 13.4 vite burgim të pandehurit, duke i ulur dënimin për secilin prej tyre në masën e 1/3. Gjatë dhënies së pretencës prokuroria kërkoi ndër të tjera dënimin me 4 vjet burg për ish-kryeregjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Kavajë Seit Cikalleshin, 5 vjet për ish-zyrtarin e njësisë administrative Kryevidh Ilir Kaja, 3 vjet e 6 muaj për Andi Gjeçin ish-zyrtarë i ZVRPP Kavajë, nga 3 vjet për zyrtarët e ZVRPP Kavajë Asim Arkaxhiu dhe Dritan Kazazi, 3 vjet për ish-shefin e zyrës së Kadastrës Kavajë Nezir Leçini dhe po 3 vjet për ish-agronomin e komunës Kryevidh Agron Xhelezi. Gjithashtu prokuroria kërkoi 2 vjet e 6 muaj për juristin Aldo Kila dhe 1 vit burg për protokollisten e ZVRPP-së Kavajë Aida Gjoci.

Gjykata e Kavajës urdhëron gjithashtu që 5 parcelat e tokës objekt shqyrtimi të kalojnë në pronësinë e shtetit. Sipas hetimeve 2-vjeçare të Prokurorisë, ish-zyrtarët janë përgjegjës për falsifikimin e dokumenteve që mundësuan tjetërsimin e pronave publike në bregdet; fillimisht në emër të banorëve të zonës dhe më pas tek të afërmit e drejtuesve të pushtetit lokal, përfshirë ish-kryetarin e Bashkisë, Elvis Roshi.

Kliko per me shume info

Hetimi për tjetërsimin e 36 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës u finalizua në nëntor 2017 me arrestimin e 11 personave. Urdhër-arrest u lëshua edhe ndaj shefit lokal të Hipotekës, Seid Cikalleshi. Hetimet zbuluan skemën e tjetërsimit, e cila kishte transferuar 36 ha prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta.

Çështja u dërgua fillimisht për gjykim nga Prokuroria e Kavajës në shkurt të vitit 2018, por në një seancë paraprake të zhvilluar në korrik 2018, Gjykata e Kavajës e ktheu atë pas për hetime të mëtejshme.

Dosja e falsifikimeve u dërgua për herë të dytë në gjykatë në fillim të vitit 2019; ku u vendos nisja e shqyrtimit gjyqësor. Me vendimin e shpallur në prill, Gjykata e Kavajës i ka gjetur fajtorë nëntë zyrtarët lokalë për skemën e tjetërsimit të pronave në plazhin e Spillesë.

Ish-kryeregjistruesi i Kavajës është dënuar me 2.8 vjet burg për falsifikim dokumentesh si dhe me ndalim 2-vjeçar për ushtrimin e funksioneve publike.  Dënime të ngjashme në aplikim të gjykimit të shkurtuar morën edhe 7 të pandehurit e tjerë, ndërkohë që dënimi për Aida Gjocin është konvertuar në punë të detyruar pranë ndërmarrjes komunale të Kavajës.

Falsifikimet e pronave në Kavajë janë vetëm një prej rasteve të hetuara vitet e fundit nga Prokuroria për abuzime masive me tokat publike. Prokuroria ka çuar në Gjykatë ose po heton çështje të ngjashme në Shkodër, Vlorë dhe Lezhë.

Një çështje e ngjashme po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ka të akuzuar ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, vëllain e tij dhe një sërë zyrtarësh lokalë, që akuzohen edhe tjetërsimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës në bregdetin e Lezhës./Reporter.al/

Dënimet e të pandehurve
Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë dënohet me 2.8 vjet burg
Andi Gjeçi, jurist në ZVRPP Kavajë dënohet me 2.4 vite burgim

Asim Arkaxhiu dënohet me 2 vjet burgim
Aldo Kila dënohet me 1.8 vite burgim

Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh dënohet me 3 vjet burgim
Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave dënohet me 2 vjet burgim

Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP dënohet me 2 vjet burgim
Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës dënohet me 2 vjet burgim
Aida Gjoci, 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar

loading...