Ministri i jashtëm gjerman: Shqipëria meriton hapjen e negociatave

Politikë

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Berlin, në kuadër të ruajtjes dhe konsolidimit të një komunikimi intensiv me autoritetet gjermane për procesin e integrimit.

Cakaj u prit në një takim nga Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth, me të cilin u diskutua për ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit dhe hapjes së negociatave.

Ministri në Detyrë Cakaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë, çka rikonfirmon rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai falënderoi Ministrin Roth për mbështetjen e Gjermanisë, si dhe për kontributin personal të tij.

Ministri Roth rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë, e cila mbetet maksimalisht e angazhuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerësoi se për këtë, respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ministri gjerman vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë. “Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, u shpreh Ministri Roth. Ai konfirmoi se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministrat vlerësuan se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për BP në tërësi dhe se Procesi i Berlinit duhet parë si instrument i integrimit evropian.

Të dy ministrat konstatuan se Shqipëria ka mbërritur progresin e nevojshëm për hapjen e negociatave dhe se vendimi politik do të jetë i bazuar në raportin e ​komisionit.

ME TE LEXUARAT