Uli avionin pa rrotën e përparme, piloti hero shpëton 89 pasagjerë

Soft

Një pilot në Mianmar ka arritur të ulë të sigurt në pistë një avion, rrota e përparme e të cilit kishte dalë jashtë funksionit. Avioni i linjës ajrore vendase rrëshqiti përgjatë pistës në aeroportin Mandalaj, përpara se të ndalonte.

Piloti i mjetit është vlerësuar nga autoritetet për manovrën e tij, falë të cilës asnjë prej 89 pasagjerëve nuk pësoi lëndime. Para se të ulej, kapiteni i ra dy herë përqark aeroportit për t’i lejuar kontrollorëve të trafikut ajror të verifikonin nëse rrota e përparme kishte dalë.

Avioni ishte nisur nga qyteti i Jangonit dhe po i afrohej Mandalajit, kur papritur piloti nuk ishte në gjendje të shtynte deri në fund marshin e uljes. Në këto rrethana, ai ndoqi procedurat e emergjencës dhe dogji karburantin e tepërt për të reduktuar peshën e mjetit. Më pas avioni është ulur mbi rrotat e pasme përpara se maja e tij të prekte tokën dhe të rrëshqiste për rreth 25 sekonda në pistë.

Ky është incidenti i dytë ajror që ndodh në Mianmar brenda javës. Të mërkurën një avion doli jashtë piste teksa ulej në aeroportin ndërkombëtar të Jangonit, duke lënë të plagosur 17 persona.

ME TE LEXUARAT