Kreditë për shtëpi më të lira se kurrë, shtrenjtohen overdraftet

Aktualitet

Huatë për shtëpi janë më të lira se asnjëherë tjetër. Sipas Bankës së Shqipërisë, në Mars, norma mesatare mujore e kredisë për blerje banesash ishte 3.45%, nga 3.77% në dhjetor 2018. Kreditë për shtëpi janë të preferuara nga bankat, pasi ka rezultuar që ato kanë një nivel të ulët të kredive të këqija, teksa individët janë të prirur të paguajnë këstet për të mos humbur shtëpitë e lëna si kolateral. Në euro, interesi mesatar i kredisë për shtëpi në mars ishte 3.04%.

Më të shtrenjtat për individët janë overdraftet, të cilat nuk kanë kolateral dhe u jepen kryesisht individëve që e marrin pagën në bankën përkatëse. Interesat vjetore janë rreth 12% për këtë lloj kredie si në lekë ashtu dhe në euro.

Megjithatë, bankat duket se janë bërë më të shtrënguara në akordimin e kredisë për shtëpi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar, rezulton se rreth 11% e tyre janë refuzuar nga bankat, ndërsa 87% janë miratuar dhe 2% janë në proces shqyrtimi.

Ndërsa kjo është koha më e mirë për të marrë kredi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kursimet. Normat e interesit, nëse vendos para në bankë, janë në minimume historike. Norma mesatare e depozitave me afat (1-60 mujore) në lekë në muajin mars ishte 0.82%, nga 0.86% muajin e mëparshëm dhe 0.99% në janar. Për kursimet 12 mujore, interesi mesatar në mars ishte vetëm 0.57%, që është kthimi vjetor që merr nga kursimet. Psh, për një depozitë prej 1 milionë lekësh, në fund të vitit merr 5,700 lekë, nga e cila zbriten dhe 15% si tatim nga të ardhurat, pra kthimi neto është 4,845 lekë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Interesin më të lartë mund ta merrni nga kursimet më afatgjata, ku për depozitat 60 mujore, kthimi është rreth 3.3% në vit. Për kursimet në euro, fitimi vjetor është afër zeros. Norma mesatare e depozitave me afat (1-60 mujore) në euro në muajin mars ishte 0.12%, nga 0.14% në dhjetor. Për depozitat 12 mujore, interesi është 0.13%, ndërsa kthimi maksimal mund të merret për depozitat 5 vjeçare, me rreth 1%./shqiptarja

ME TE LEXUARAT