Kosovari i arrestuar për vjedhjen në Rinas, dyshohet se vodhi dhe arin në Pejë

Aktualitet

Shkon në 6 numri i të arrestuarve për grabitjen e Rinasit. I dyshuari i radhës është Ragip Hajdini, nga Kosova, i cili është prangosur në Kavajë për dyshimet se është njëri nga bashkëpunëtorët e kësaj ngjarjeje të bujshme. Ai u përshkrua nga Alkond Bengasi si “Daja” nga Kosova, i cili takohej shpesh me Klement Çalën dhe Admir Muratajn.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes së datës 09.04.2019 në aeroportin e Rinasit, informojmë se është kapur dhe ndalur shtetasi R.H., 50 vjeç, lindur e banues në Pejë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje,” njoftoi policia.

Sipas Top Channel, Ragip Hajdini nuk është një emër i panjohur për policinë e shqiptarëve të përtej kufirit. Shtetasi kosovar i arrestuar këtë të premte në qytetin e Kavajës, si i dyshuari i 6 i grabitjes së bujshme të 9 prillit në Rinas, rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës.

Sipas Prokurorisë së “Eulex”-it, grabitja e sasisë së arit është kryer përgjatë 3 muajve, nga shkurti deri në prill të vitit 2012. Në fakt, të grabisësh një sasi të tillë nuk është ndonjë habi, por fakti që ajo është grabitur brenda ambienteve policore e bëri ngjarjen të bujshme asokohe në mediet kosovare.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ari i vjedhur dyshohet të jetë nxjerrë prej ambienteve policore nga një toger, e pas kësaj përfundoi në një argjendari për t’u shkrirë dhe për t’u nisur drejt Turqisë, përmes pikës kufitare të Vermicës. Për ngjarjen në fjalë pati 6 të dyshuar nën hetim, prej të cilëve dy policë.

Vjedhja e arit në Dhomën e Dëshmive të Policisë së Pejës u dyshua madje si një “mbulesë” për shkatërrimin e qindra provave për krime të rënda, kryesisht vrasje në qytetin e Pejës.

Emri i Hajdinit doli gjatë dëshmisë së Alkond Bengasit, bashkëpunëtor i drejtësisë.

“Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit, e cila ndodhej afër shtëpisë time dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin “Daja”. Unë këtë person jam në gjendje që ta identifikoj nëse ai më tregohet. Po me këtë shtetas vinin edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin nga Fushë Kruja, me sa di unë ku njëri thirrej me emrin “Olti” dhe tjetri “Tani”. Ata të dy vinin me një makinë Golf ngjyrë blu dhe të dy këta persona takoheshin me Admir Muratajn dhe shtetasin kosovar të cilin Admiri e thërriste Daja.

Herën e fundit që unë e kam takuar Admir Muratajn në momentin që po zbrisja për të blerë cigare të dyqani që ndodhet afër pallatit, dyqan i cili ndodhet në pallatin e Klementit, ka qenë rreth 6 ditë para se të ndodhte grabitja në Rinas.

Një person më fishkëllen dhe unë kthej kokën dhe arrita të dalloj Admir Muratajn, i cili më thirri ‘o nip’ dhe unë kam shkuar dhe jemi takuar dhe aty shikoj se në automjetin golf ngjyrë e bardhë me targa kosovare ndodhej edhe Daja nga Kosova, i moshës rreth 50 vjeç, qeros. Pasi Admiri më ka dhënë dorën dhe më ka përshëndetur, ai ka hyrë në shkallën e pallatit ku banon Klementi dhe është ngjitur lart. Unë sa herë e kam parë shtetasin kosovar, e kam parë që ai ishte në shoqërinë e Admir Muratajt.

Po kështu dua të shpjegoj se unë Oltin dhe Tanin, të cilët di që janë nga Fushë Kruja, i kam takuar për herë të parë përpara 6 muajsh, tek Shkëmbi i Kavajës, afër pallatit të lartë. Jemi nisur unë dhe Eldi nga Elbasani dhe në një lokal tek Shkëmbi i Kavajës, kemi ngrënë drekë së bashku me Admir Muratajn, personin të cilin Admiri e thërriste Daja dhe ishte nga Kosova, Oltin dhe Tanin nga Fushë Kruja, Klementin si dhe një person tjetër, të cilin e kishte shok Daja nga Kosova dhe që ishte i shëndoshë.

Përpara 10-15 ditësh, rreth orës 08.30 të mëngjesit kur unë kam qenë duke shkuar për në Elbasan, kam parë në kafen e cila ndodhet disa metra larg pallatit në afërsi të një hoteli që po ndërtohet, shtetasi Admir Murataj, shtetasi kosovar që thirrej Daja, Oltin, Tanin, Klementin dhe Eldin. Kur unë kam vazhduar rrugën me makinë rreth 20 metra larg kafes ku po pinin shtetasit e mësipërm kam parë që vjen me automjetin e tij Talo Çela,” tha Bengasi.

ME TE LEXUARAT