Policia e Kosovës pranon: Po kërkojmë dy nga autorët e super vjedhjes në Rinas

Kosovë&Rajon

Në vjedhjen e miliona eurove në Rinas ishin të përfshirë edhe persona nga Kosova të njohur si “Daja” e “Tani”.

Alkond Bengasi bashkëpunëtor i drejtësisë për grabitjen e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill, ka thënë se kontaktin e parë e ka pasur me dy kushërinjtë e tij, Klement dhe Eldi Cala.

“Duke qenë se unë punoja në një servil, ata më kërkuan t’i shoqëroja në Kavajë ku do të merrnim një furgon. Fillimisht nuk pranova sepse kam pasur fëmijën sëmurë dhe nuk doja të largohesha nga Elbasani. Por më pas pranova dhe shkuam të tre tek Shkëmbi i Kavajës. Aty na prisnin 3 persona për drekë. Një u prezantua si Admir Murataj, i cili ishte në shoqërinë e 2 personave nga Kosova. Një prej tyre e thërrisnin ‘daja’ ndërsa tjetrin ‘Tani’”, citon “Oranews” të ketë thënë Bengasi.

“Pasi hëngrën drekë, morëm furgonat Chevrolet, të cilët unë më pas i modifikova. Më vonë mësova se mjetet do të përdoreshin për grabitje”, ka thënë Alkond Bengasi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në bazë të kësaj dëshmie, policia shqiptare po bashkëpunon me atë kosovare për identifikimin dhe arrestimin e dy personave, të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në këtë grabitje.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Policia e Kosovës kanë thënë se për rastin në fjalë po shkëmbejnë edhe informacione

“Policia e Kosovës në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që ka me Policinë Shqiptare, edhe në  rastin konkret ka bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacione,  në drejtim të zbulimit të këtij rasti dhe autorëve”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Kjo ngjarje ka ndodhur rreth dy javë më parë në aeroportin kombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë. Deri më tani janë arrestuar pesë persona. /Lajmi.

ME TE LEXUARAT