Qeveria miraton dëmshpërblimin, ja sa para përfitojnë banorët e shtëpive tek Astiri

Aktualitet

Një pjesë e banorëve të Unazës së Re në Tiranë që preken nga zgjerimi i rrugës nga “Pallati me Shigjeta” tek “Sheshi Shqiponja” do të dëmshpërblehen. Qeveria ka miratuar fondin prej 1 miliardë e 224 milionë lekësh. Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”, vendimi që hyn në fuqi ditën e sotme.

“Pronarët, e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar”, thuhet në pikën 7 të vendimit të qeverisë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas VKM-së, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

Vendimi i plotë:

V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PALLATI ME SHIGJETA – RRETHRROTULLIMI “SHQIPONJA””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rreth rrotullimi “Shqiponja””.

Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 224 874 430.42 (një miliard e dyqind e njëzet e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë pikë dyzet e dy) lekësh, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

Pronarët, e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e aktit pa tarifa regjistrimi.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

ME TE LEXUARAT