Gjykata mbyll përfundimisht dosjen e Agron Xhafajt: Nuk ka asnjë provë për trafik

Aktualitet

Pas kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur pushimin e hetimeve për vëllain e ish ministrit të brendshëm Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj.

Vendimi është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtarja Etleva Deda, pas kërkesës së prokurorit Përparim Kulluri.

Në maj të 2018-ës, Partia Demokratike publikoi një audiopërgjim, ku pretendohej se Agron Xhafaj bisedonte me një tjetër person për trafik droge.

Pas kallëzimit të opozitës, prokuroria nisi hetimet dhe procedimi penal me akuzën e trafikimit të narkotikëve u regjistrua pa asnjë emër konkret. Por, si pjesë e këtij hetimi ishte edhe emri i Agron Xhafajt.

Më herët, dosja i kaloi edhe një herë Policisë së Shtetit për të siguruar prova të reja. Mungesa e provave çoi në pushimin e kësaj çështjeje.

E cilësuar si dosja “Babale”, ajo iu kalua prokurorisë së Tiranës për akuzën e kallëzimit të rremë, ku tashmë të pandehur janë ish deputeti demokrat Ervin Salianji, Albert Veliu, Fredi Alizoti, i cili ka pranuar se ka imituar zërin e Agron Xhafajt, si dhe gazetari Jetmir Olldashi./vizionplus

ME TE LEXUARAT