Ja kush do të jetë trajneri i ri i kombëtares kuqezi

Duket se Edoardo Reja do të jetë trajneri i ardhshëm i kombëtares shqiptare. Është pikërisht tekniku 73-vjeçar i përzgjedhuri nga Federata Shqiptare e Futbollit për të drejtuar skuadrën kuqezi në kualifikueset për Europianin e vitit 2020, duke zëvendësuar në stol bashkëkombësin e tij, Christian Panucci. Ky i fundit u shkarkua menjëherë pas humbjes me Turqinë më 22 mars në Shkodër.

Caktimi i Edy Rejas për stolin kuqezi u jep fund kërkimeve të FSHF-së, fushatë për të cilën, ditët e fundit u përfol se ishte në kontakte edhe me kandidatë të tjerë, si Alberto Zaccheroni, apo edhe Francesco Guidolin. Mësohet se Reja do të mbërrijë ditën e martë në Tiranë për të nënshkruar edhe kontratën e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Kliko per me shume info

Presidenti Armand Duka, para zyrtarizimit, mësohet se ia ka paraqitur këtë kandidaturë Komitetit Ekzekutiv, që në këto raste jep pëlqimin për zgjedhjen e bërë nga kreu i qeverisë së futbollit.

Edy Reja është një emër i njohur në futbollin italian. I lindur në vitin 1945, trajneri 73-vjeçar ka drejtuar një sërë skuadrash në Serie A, por edhe në Kroaci. Periudhën më të gjatë të qëndrimit në pankinë, Reja e ka kaluar pikërisht te Napoli në vitet 2005-2009, teksa e ndihmoi këtë skuadër të ngjitet nga Serie C1 në Serie A.

Pas aventurës te Napoli, Reja drejtoi Hajdukun e Splitit, ku qëndroi për një sezon, për t’u kthyer sërish në Itali nën drejtimin e Lazios, e më pas të Atalantës, që ishte edhe skuadra e fundit e tij.

loading...