Bulku flet si trajner i kuqezinjve dhe i përgjigjet Panuccit

Sport

Humbja ndaj Turqisë rezultoi fatale për trajnerin italian Christian Panucci, i cili u shkarkua menjëherë pas ndeshjes. Në vend të tij FSHF ka graduar përkohësisht Ervin Bulkun. Ky i fundit është prej vitesh pjesë e kombëtares dhe ka qenë një ndër njerëzit më të preferuar të Gianni De Biasit. Shqipëria do të përballet me Andorrën dhe Bulku ka detyrë të arrijë një fitore për të harruar zhgënjimin e dështimit të së premtes në “Loro Boriçi”.

“Ndeshja e nesërme? Mua më është ngarkuar një përgjegjësi e madhe. Detyra ime është ta fitojë këtë ndeshje, bashkë me çunat, sepse ata bëjnë punë më të madhe në fushë”, ka thënë Bulku.

“Kthim në Andorrë pas 17 vitesh? Ndryshimi i vetëm është se këtë ndeshje do ta fitojmë patjetër dhe nuk besoj se do të përsëritet rezultati i asaj kohe (Shqipëria humbi 2-0 në miqësore).

Gjendja e Balës dhe Sadikut? Do të shohim pas stërvitjes së fundit nëse do të jenë gati dhe nëse do të mund të luajnë të dy bashkë. Gjendja psikologjike? Jemi munduar ta harrojmë sa më shpejt humbjen e pësuar kundër Turqisë dhe gjendja është shumë e mirë.”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

I pyetur për deklaratën e Christian Panuccit pas ndeshjes, për grupin e lojtarëve, Bulku nuk nguroi t’i kujtonte ish-trajnerit se ishte po ky grup që bëri të lumtur miliona shqiptarë me kualifikimin në Europianin e Francës.

“Çfarë mund të bëjnë këta lojtarë? Këta janë 70% të lojtarëve që lumturuan shqiptarët në Francë dhe po këta lojtarë do të kërkojnë të marrin një fitore nesër. Kam bindjen se do të fitojmë”, ka përfunduar trajneri i ri i Shqipërisë.

ME TE LEXUARAT