Indianët që fshihen në Tiranë, në kërkim për zhdukjen e 725 milionë dollarëve

Urdhri i një gjykate në New Delhi për ekstradimin e dy shtetasve indianë, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara është maja e ajsbergut të një skandali gjigant financiar, e cili përfshin edhe Shqipërinë.

Dy vëllezërit Sandesara, të cilët akuzohen për një skemë pastrimi parash prej 725 milionë dollarësh amerikanë, aktualisht janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri.

Kliko per me shume info

Por çfarë qëndron pas skandalit?
Dy vëllezrit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.

Skandali shpërtheu në janar të vitit të kaluar kur agjencia e krimit ekonomik në indi arrestoi drejtorin e andra bank, bankës më të madhe e cila kishte lëvruar kreditë për vëllezërit sandesara. Në po të njëjtën kohe autoritetet indiane bllokuan pronat e kompanisë Sterling Biotech, e cila u fut në proces falimentimi. Por dy vëllezërit sandesara u arratisën nga India.

Deri vonë autoritetet indiane besonin se Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ishin arratisur në Nigeri. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.

Gjatë kohës që ishin në kërkim nga autoritetet indiane dhe skandali ishte bërë publik edhe në mediat ndërkombëtare, dy vëllezerit Sandesara kanë mbërritur në Shqipëri.

Madje në 6 shkurt të vitit të kaluar, kur kërkoheshin në të gjithë planetin, ata kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare, një proces gjatë së cilit cdo individ I huaj kalohet në sitë nga shërbimi informativ shtetëror dhe autoritetet e tjera të rendit. Ky është dyshimi I parë I fortë se si shish ka lejuar dhënien e nënshtetësisë për dy persona, të cilët jo vetëm ishin në kërkim ndërkombëtar, por I kishin emrat të botuar në mediat ndërkombëtare për pastrim parash.

Madje vetëm një muaj më parë Nitin Sandesara është pritur zyrtarisht edhe nga kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj, takim të cilin shefi i qeverisë kosovare e ka bërë publikë në profilin e tij në facebook.

Por skandali i dështimit të autoriteteve shqiptare është edhe më i madh se kaq. Me ardhjen në Shqipëri në fund të vitit 2017, Nitin dhe Chetankumar Sandesara kanë ngritur dy kompani në sektorin e ndërtimit, Tulja Real Estate dhe Laxmi Real Estate siç tregojnë dokumentet e regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit.

Të dy kompanitë janë të regjistruara me adresë në zonën e liqenit të thatë të Tiranës. Pikërisht në buzë të liqenit të thatë, Laxmi Real Estate është duke ndërtuar pallat bashkë me një kompani shqiptare, sic tregon leja e ndërtimit e dhënë nga Bashkia e Tiranës në nëntor të vitit të kaluar.

Ndërtimi është cilësuar nga departamenti amerikan I shtetit dhe zyra europiane për parandalimin e pastrimit të parave si sektori më me risk për pastrimin e parave në Shqipëri. Madje kjo ka qenë edhe objekt I debatit politik, I ushqyer nga bumi I ndërtimeve në një kohë që kredia është në stanjacion.

Debati politik për pastrim parash në ndërtim vazhdon. Ndërkohë dy personat më të kërkuar në Indi për vjedhje dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve amerikanë janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri, madje tashmë si shtetas shqiptarë.

Një skandal, i cili ngre pikëpyetje të forta, jo vetëm për origjinën e parave që po financojnë bumin e ndërtimit, por edhe për një çështje tjetër. A po shndërrohet Shqipëria, parajsa e evazorëve dhe pastruesve ndërkombëtar të parave?/top channel

loading...