Klopp vendos, nuk e merr Xherdan Shaqirin për të luajtur në Beograd

Sport

Liverpool e ka lënë jashtë skuadrës, që do të udhëtojë drejt Beogradit, për të luajtur ndeshjen e Ligës së Kampionëve, kundër Crvena Zvezda.

Klubi nga “Anfield” e ka marrë këtë vendim për shkak të polemikave që mund të lindin në kryeqytetin serb nga prania e Xherdan Shaqirit, i cili është i lindur në Kosovë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shaqiri dhe Granit Xhaka, lojtarë të kombëtares së Zvicrës, shkaktuan polemika të forta në Kupën e Botës së kësaj vere, mbajtur në Rusi, pasi i shënuan Serbisë dhe të dy festuan me “shqiponjë”, një simbol nacionalist shqiptar, sipas mediave të huaja.

Dy lojtarët, prej trashëgimisë shqiptare, morën një paralajmërim zyrtar nga FIFA dhe u gjobitën me nga 10.000 franga zvicerane për sjellje josportive. Shaqiri kishte deklaruar më parë se nuk kishte asnjë shqetësim lidhur me udhëtimin në Serbi, por Jurgen Klopp ka vendosur ta lërë jashtë skuadrës së tij 27-vjeçarin, për transfertën serbe të së martës.

"Është një situatë, ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli, vetëm për të luajtur futboll, – tha Klopp, në një deklaratë në faqen e internetit të Liverpool. – Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulime të ndryshme, po flasim për atë lloj pritjeje, që Shaqiri do të merrte në Beograd.

Megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne duam të shkojmë atje dhe të përqendrohemi 100 për qind te futbolli. Nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha. Ne jemi Liverpool, një klub i madh, një ekip futbolli, por nuk kemi ndonjë mesazh më të gjerë se kaq.

Ne nuk kemi asnjë mesazh politik, absolutisht jo, duam që fokusi të jetë një lojë e madhe futbolli, asgjë tjetër. Ne jemi të etur për të respektuar këdo, për të shmangur çdo incident, që do të përqëndrohej larg nga gara 90-minutëshe në fushën e blertë.

Plus kësaj, për ne është e rëndësishme të flitet për futboll dhe vetëm për futboll. Shaqiri është lojtari ynë, e duam atë. Ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën”.

ME TE LEXUARAT