Buxheti 2019/ Presidenti kënaqet nga fondet, por deputeti i PS-së ka një ankesë

Politikë

Gjatë shqyrtimit të buxhetit të shtetit për institucionin e Presidencës në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e Presidentit Ilir Meta u shprehën të kënaqur nga fondet që kishte alokuar Ministria e Financave për këtë vit.

Ndonëse pritej që të kishte një debat ndërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës me relatorin Bashkim Fino, kjo nuk ndodhi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Komisionit, Alqi Bllako, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, u shpreh se është i kënaqur nga fondet që i ka parashikuar buxheti i shtetit për vitin 2019.

“Institucioni i Presidentit të Republikës nuk ka asnjë kërkesë shtesë sa i përket buxhetit të vitit 2019. Një çështje që lidhet me problemin e fondit të pagave dhe të sigurimeve besoj e kemi adresuar me Ministrinë e Financave.

Për pjesën tjetër jemi në rregull për vijimin e aktivitetit vitin tjetër. Nevojat janë të pafundme, por duke qenë realistë, besoj se ato kërkesa që ne kemi, janë parashikuar në fonde”, tha Bllako.

Por pavarësisht gjuhës konstruktive të Presidencës, relatori Bashkim Fino u shpreh se Presidenca për vitin buxhetor 2019 ka marrë më shumë fonde se çfarë i takojnë.

“Mendoj se ky buxhet është shumë i ekuilibruar, shumë i saktë që nuk pengohet veprimtaria e Presidentit të Republikës. Madje ka më shumë se ç’duhet. Por ta shikojmë nga pikëpamja financiare, shumë më tepër njerëz, pra, 86 veta për një President. 86 veta ka Presidenca sot dhe goxha fonde dhe goxha investime, të cilat këta edhe tani, nga 18 milionë, që kanë Aktin Normativ të 2018-s për investime, kanë realizuar vetëm 0.9 milionë lekë.

Unë mendoj që këto investime, kur na i kërkoni, merrini dhe realizojini sepse realisht i kemi të parealizuara. Flas me 9-mujorin dhe nëse kërkoni 18 milionë dhe ju duhen për investime, duhet t’i realizoni. Në të kundërt, nëse nuk i realizoni, t’i çojmë në një sektor tjetër”, u shpreh deputeti socialist Bashkim Fino./ Panorama

ME TE LEXUARAT