Anonymous sulmon qeverinë: Më 5 nëntor, të dhëna "bombastike"

Bota

Anonymous Italia, grupi i aktivistëve hacker të lidhur me rrjetin e piratëve informatikë botëror Anonymous, ka nisur një fushatë sulmi kundër portaleve institucionale italiane me objektiv final, të godasin qeverinë e formuar nga koalicioni politik "5 Yje dhe Lidhja".

Përmes një videomesazhi të shpërndarë në Youtube, hakerat kanë informuar se më 29 tetor e deri më 5 nëntor kanë nisur javën e zezë "black ëeek", kundër sistemit qeverisës në Itali.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Në këtë javë synojmë t'i japim fund kësaj heshtje, thuhet në këtë video-komunikatë të tyre. Nëse nuk keni parë asgjë e nëse krimet e kësaj qeverie mbeten të panjohura për ju, këshillojmë të mos i kushtoni vëmëndje datës 5 nëntor, por nëse shihni atë që shohim ne, nëse mendoni atë që mendojmë ne, e nëse jeni në kërkim të asaj çka kërkojmë ne, qëndroni pranë nesh për të mos pranuar më gënjeshtrat e mbytjen nga heshtja që detyron ky shtet."

Anonymous Italia informon se në emër të barazisë, lirisë e drejtësisë, diçka e pazakontë do të ndodhë më 5 nëntor 2018, një zgjedhje jo e rastësishme e kësaj date e lidhur me ngjarjen historike të 5 nëntorit 1605 kur Guy Fawkes, anëtar i një grupi komplotistësh katolikë anglezë tentuan të vrasin mbretin Giacomo të Anglisë e të gjithë anëtarët e parlamentit anglez të mbledhur në Dhomën e Lordëve.

"E dimë, shprehen hakerat italianë, se pse e votuat këtë qeveri. Kishit frikë nga luftrat, atentatet, shpërthimet, sëmundjet, kishit frikë nga masa e emigrantëve dhe refugjatëve, e kaosi mendor ju çoi të votoni këtë qeveri. Ju premtuan rregull e paqe në shkëmbim të heshtjes tuaj e konsensusit bindës."

"E vërteta është se në këtë vend ka diçka të tmerrshme, mizore, të padrejtë, jo toleruese e shtypëse. Po kush është fajtori'?" pyesin piratët e informatikës.

Prej 29 tetorit e deri më sot, Anonymous Italia ka hakeruar disa portale Universitetesh italiane me shpjegimin se "kanë vendosur të godasin fillimisht Universitetet pasi për ta studimi e kultura u intereson shumë e se janë të mendimit se duhet të jenë të arritshme për të gjithë".

"Universitetet janë vendet ku shkruhet e ardhmja e një vendi dhe ne këtë synojmë", thonë ata.

"Synojmë të përfshijmë sa më shumë të rinj e studentë të Universiteteve në betejat që Anonymous kryen prej vitesh."

Në blogun e tyre Anonymous Italia ka publikuar listën e portaleve institucionale të hakeruar nga 29 tetori deri më sot. Sulmet informatike janë të koordinuar ditë pas dite e në bazë sektori.

Më 29 tetor, piratët informatikë kanë sulmuar sektorin e arsimit duke hakeruar Departamentin e Inxhinierisë Informatike në Universitetin e Romës si dhe Universitetin e Veronës.

Më 30 tetor kanë hakeruar portalet e disa sindikatave italiane e të organizmave të idustrialistëve sipërmarrës italianë.

Më 31 tetor kanë hakeruar sektorin e shëndetësisë publike në disa institucione në rajonin e Reggio Calabrias e në provincën e Legnanos.

Në shënjestrën e tyre është vënë dhe Partia Lidhja e zëvëndëskryeministrit Matteo Salvini.

"Ju kujtohet , thonë Anonymous Italia, ajo shumë "e vogël" parash që Lidhja thotë se është vjedhur e që shteti italian kërkon t'i kthehet pas me një taksë interesi shumë më të vogël sesa taksa që paguan një qytetar i thjeshtë për të paguar kredinë e shtëpisë. E pra një pjesë e vogël e kësaj shume "të vogël" prej 49 milionë euro mund të shërbente për të financuar Universitetet ashtu si dhe shumë e shumë fonde të tjera të shpërndara anekënd vendit pa asnjë qëllim të caktuar e veç për t'u futur në xhepin e hajdutëve që ulen në poltronet e shtetit."

Media dhe gazetarët italianë po i kushtojnë një vëmëndje të veçantë kësaj jave të zezë të sigurisë informatike në Itali, duke kujtuar datën 2 nëntor, Ditën Botërore kundër krimeve ndaj gazetarëve, që i kujton çdo gazetari e punonjësi të informacionit se pretendon fort të drejtën e tij për të dhënë informacionin e të drejtën e qytetarëve për t'u informuar.

Pavarësisht nga qëllimi final i Anonymous, për mediat italiane përbën shqetësim fakti i shpërndarjes e publikimit të të dhënave private të personave online, por dhe detyrimi për të infromuar publikun mbi rrezikun që sjell ndaj çdokujt mos mbrojtja si duhet i të dhënave personale.

Të gjithë presin kuriozë e me shqetësim atë çka do të ndodh më datë 5 nëntor, ditë kur Anonymous Italia ka premtuar zbulimin e të dhënave "bombastike".

ME TE LEXUARAT