Shkodra si Palermo, këto janë shifrat e frikshme të atentateve mafioze

Aktualitet

Prej gjashtë muajsh Shqipëria është tronditur nga atentatet mafioze. Numri më i shumtë i tyre është regjistruar në qytetin e Shkodrës, i cili është cilësuar si Palermoja e Shqipërisë. Vetëm në këtë qytet janë regjistruar 7 viktima në atentate mafioze, dhe dy të zhdukur.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por si nisën atentatet në Shkodër?

Në 13 janar të këtij viti një shpërthim mjaft i fuqishëm tritoli tronditi Shkodrën. Lënda plasëse ishte montuar në një motoçikletë në lagjen “Rus”. Për pasojë 7 persona mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje më të rëndë. Shënjestra e atentatit ishte Lulzim Kullaj, një emrat e konsideruar si “të fortët” e Shkodrës. Ai mori plagë të rënda, por mbijetoi.

Më pas në 18 qershor u ekzekutua me një plumb në kokë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi. Shkaqet e ekzekutimit dhe autorët ende nuk dihen. Policia fillimisht tha se vdekja e tij kishte ardhur për shkaqe natyrale, por vetëm pas ekzaminimit nga ana e mjekëve ligjorë u zbulua se bëhej fjalë për vrasje.

Më 15 korrik Shkodra tronditet sërish, pasi ish-oficeri i policisë Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci u qëlluan me breshëri plumbash në kohën kur do zbrisnin nga makina e tyre.

Me ta në mjet ishte dhe fëmija i tyre vetëm 2 vjeç, ky i fundit mbijetoi. Edhe në këtë rast autorët dhe motivet nuk dihen.

Nuk kaloj as një muaj dhe Shkodra u trondit sërish. Në 10 gusht i vrarë mbeti Fatbardh Lici, i cili u qëllua nga një breshëri automatiku gjatë kohës që po pinte kafe në një lokal në lagjen Kiras.

As sot nuk ka asnjë të arrestuar. Vëllai i tij akuzoi bandat kriminale të lidhura me policinë për këtë ngjarje.  Pas atentatit të Licit, më 1 shtator u vra Arian Ferracaku, mbi kalin e tij. Edhe ky me breshëri plumbash dhe ende nuk ka autorë.

Atentatet nuk ndaluan këtu, pasi në 13 nëntor, Fatos Ferracakut kushëri i Arjan Ferracakut u eliminua duke shitur peshk në markatën e lagjes Rus.

Për vrasjen e Arjan Ferracakut u tha se ai mund të jetë ngatërruar dhe se në fokus të ketë qenë një nga personat që e shoqëronin. Këto janë bilancet e atentateve, por prej 23 gushtit dy persona rezultojnë të zhdukur në Shkodër.

Nuk dihet asgjë për fatin e Agron Mollajt dhe Gëzim Hysjat, dajë e nip mes tyre, nuk dihet asgjë. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto , më 27 gusht, Alfred Pellumbi vrau komshiun e tij Prendush Fusha pas një konflikti banal.

Përse ende nuk kanë autor këto atentate mafioze?

Kjo tregon se policia shqiptare, e cila është nën udhëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt është e paorganizuar. Ndoshat sepse ministri zgjodhi fillimisht të merrej me policat barkderra dhe jo me gjendjen alarmante në Shkodër.

Ndërsa nga ana tjetër hetuesit e Malit të Zi kanë dyshime se atentatet në Shkodër janë kryer nga vrasës me pagesë malazez. Ekzekutimet e kryera në Malin e Zi janë të ngjashme me ato që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës.

Në tre ekzekutime në Shkodër, autorët më pas kanë djegur automjetet, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Malin e Zi, ç’ka ngre dyshime të forta se mund të jenë të njejtat duar që kanë kryer ekzekutimet dhe në Shkodër.

E ç’ka mund të thuhet në fund është se edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj edhe nuk ka asnjë të prangosur dhe kjo tregon se forca e ligjit nuk po vepron dhe se Shkodra çdo ditë e më shumë po ngjason me Palermon e viteve 30′.

ME TE LEXUARAT