Video- Misteret e tragjedisë së 9 Janarit 2004

Aktualitet

Një ngjarje e rëndë tronditi familjet shkodrane në fillimet e vitit 2004. Të gjithë e kanë ndjekur ngjarjen tragjike të 9 Janarit, kur një gomone u mbyt në ujërat e kanalit të Otrantos, ndërsa udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë dhe për pasojë gjetën vdekjen 21 persona dhe 7 të tjerë rezultuan të humbur.

Përmes emisionit “Opinion”, gazetari Blendi Fevziu trajton ngjarjen dhe ngre pikëpyetje lidhur me deklaratat e politikanëve dhe drejtuesit të asaj kohe të Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Fevziu e nis emisionin me një intervistë të shkurtër të gazetarit Andi Bejtja, i cili deklaron se zv.kryeministri, Namik Dokle dhe ministri e Mbrojtjes, Pandeli Majko nuk e mohuan ngjarjen, ndërkohë që qarqe brenda policisë, siç thotë ai, u munduan ta vagullonin për të mos iu dalë dobët puna.

https://www.youtube.com/watch?v=8hLEPMBahgw

“Lajmin ne e morëm nga Top Albania Radio, ku ishte regjistruar telefonata e parë rreth orës 20:30. Në ato momente sapo isha kthyer në shtëpi, pasi mora lajmin të them të drejtën e vonova daljen e spikeres Monika Stafa dhe dolëm rreth orës 21:25, për të vetmen arsye se ishte moment delikat dhe të gjithë kishim dyshime. Pas lajmit u lidha me autoritetet shqiptare, me zv.kryeministrin Namik Dokle dhe ministrin e Mbrojtjes Pandeli Majko, të cilët pranuan se diçka ka ndodhur, pavarësisht se nuk ishin vënë “pikat mbi i” dhe s’kishte detaje. Më pas vendosa që të dilnim dhe të rrezikonim dhe të shpëtonim jetën e disa personave. Ne u futëm live dhe telefonuam atë person që kishte telefonuar në Top Albania Radio. Atë natë kam komunikuar me të gjitha autoritetet shqiptare dhe nuk ka patur tendencë për të fshehur ngjarjen nga Dokle dhe Majko, ndërkohë që kishte qarqe brenda policisë që për të mos iu dalë puna e dobët, u munduan ta vagullonin pak. Ky qe një moment shumë delikat”, tha Andi Bejtja, Drejtor Informacioni në TCH në atë kohë.

Referuar një materiali kofidencial të shpërndarë për deputetët e parlamentit shqiptar 6 ditë pas ngjarjes, Fevziu thotë se radari i postës kufitare të Dhërmiut, rreth orës 18:00 ka kapur një objekt që dyshohej të ishte gomone. Ndërkohë që natën që ndodhi ngjarja, drejtori i Policisë, Bajram Ibraj ka deklaruar se radari i postës së Dhërmiut ka pikasur dy gomone dhe ka sinjalizuar se po largoheshin në drejtim të Italisë.

“Referuar një materiali konfidencial të shpërndarë për deputetët e parlamentit shqiptar, 6 ditë pas ngjarjes, në të cilën policia bën përshkrimin e ngjarjes pas tragjedisë. Sipas burimeve të policisë, gjithçka ka filluar rreth orës 18:00, kur radari i postës kufitare të Dhërmiut kap një objekt që lëvizte në drejtim të Karaburunit që dyshohej të ishte gomone dhe asgjë më shumë. Këtu fillon kontradikta e parë.

Në datën 9 Janar, në orën 01:00 të natës, në një intervistë për “Gazetën Shekulli”, drejtori i Policisë Bajram Ibraj deklaron: “Qysh në fillim, radari i postës së Dhërmiut ka pikasur dy gomone dhe ka sinjalizuar se po largoheshin në drejtim të Italisë. Informacioni i parë ishte se dy gomonet ishin të mbushura me hashash dhe po largoheshin drejt Italisë”. Ishte 1 apo dy gomone? Këtu fillon edhe pika e parë e misterit të 9 Janarit që ka mjaft kontradikta”, thotë Fevziu.

https://tvklan.al/wp-content/uploads/2018/11/NATO-1024x596.jpg

Ndryshe nga ç’deklarohet në materialin kofidencial, sipas të cilit thuhet se Guardia di Finanza dhe NATO u njoftuan menjëherë pas ngjarjes, zëdhënësi i NATO-s në Shqipëri, Antonio Pasaro deklaron se e ka marrë njoftimin në mënyrë të rastësishme, ndërkohë që ishte duke darkuar në një restorant.

“Sipas materialit konfidencial të qeverisë njoftohet se trupat e grupit naval 28, të Guardia di Finanzës dhe ato të NATO-s janë vënë në dijeni menjëherë, rezulton krejt e kundërta. Një nga zëdhënësit e NATO-s në Shqipëri, Antonio Pasaro deklaron se e ka marrë njoftimin në mënyrë të rastësishme, ndërkohë që ndodhej duke darkuar në një restorant, nga një gazetar shqiptar”, tha Fevziu.

Gjatë emisionit po ashtu shfaqet edhe një intervistë e një prej personave që mundi të mbijetonte, Mehill Guri. Ai tregon se që në momentin që u nisën, deti ishte i trazuar dhe se në gomone kishte mbingarkesë.

“Lutesha të vdisja sa më parë”, thotë ai, teksa tregon se si pa të vdisnin një nga një personat të cilët kishin qenë me të në gomone.

https://tvklan.al/wp-content/uploads/2018/11/mehill-guri-1024x603.jpg

“Një ditë para se të nisej gomonia e mora vesh rastësisht. Erdha në shpi dhe i thash kunatës se të nesërmen do të niseshim. Hipëm në një furgon tek Radio Shkodra shkuam në Tiranë. Nga Tirana ikëm për në Vlorë me një furgon mallrash dhe kemi qenë rreth 35 persona. Kur pashë që ishim aq shumë persona ma ndjeu zemra, pata frikë. Kur arritëm tek gomonia na thanë që ata që ishin familjarë do të hipnin afër motorit. Unë isha bashkë me kunatën dhe hipëm të parët dhe hipën edhe të gjithë të tjerët. U nisëm nga bregdeti, përafërsisht në orën 18:30-19:00. Deti atë natë nuk ka qenë si herë të tjera. Pasi u nisëm, unë iu kam thënë skafistëve se deti nuk ishte i qetë dhe se ne ishim shumë persona në gomone. Ndërkohë që ecnim, edhe vetë skafisti tha kam mbingarkesë në gomone. Edhe ai e pa që nuk ishim në gjendje të shkonim në Itali dhe tha se do të kthehemi. Dhe pompa e ujit që nxirrnin ujin nga gomonia nuk funksiononin. Pasi udhëtuam për 30 minuta, vendosëm të kthehemi në Vlorë. Kur nisëm të ktheheshim, dallgët e detit ishin përballë me gomonen dhe nisën të bien mbi motora dhe ato u fikën. Gomonia nisi të mbushej me ujë dhe për 5-10 minuta, gomonia filloi të fundosej. Në ato momente skafistët na thanë të mbahemi fort dhe të anoheshim kundër ujit dhe se do të njoftonin policinë. Fillimisht ai foli me miqtë e tij në Vlorë dhe më pas lajmëroi edhe policinë dhe na jepte kurajo. Ne nuk kishim asnjë fishekzjarr për të dhënë sinjal se ku ishim. Por pamë dy helikopterë që patrulluan në afër bregut dhe që nuk arritën të na shikojnë. Kur ngelëm në det dhe pash 17-18 persona të vdekur lutesha që të vdisja sa më parë, prisja minutin kur do vdisja. Të gjithë ishin mosha të reja dhe vdisnin nga i ftohti. Të gjithë trupat që kanë dalë jashtë i kanë nxjerrë dallgët e detit. Mbaj mend që ajo vajza nga Dajçi ka humbur jetën e para”, tha i mbijetuari Mehill Guri.

Një tjetër mister i 9 Janarit ishte edhe fakti që drejtues të lartë të Ministrisë së Rendit dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit deklaruan se nuk bëhej fjalë për një gomone me klandestinë, por për një gomone me 2 tafikantë hashashi. Mbi këtë ka shumë pikpyetje, nëse ishte një lajm real apo u përhap nga strukturat e policisë për të lënë skafin në mëshirë të fatit dhe për ta çuar drejt mbytjes, që të zhdukeshin gjurmët e trafikimit. Nga kjo ngjarje tragjike, 21 humbën jetën persona, 11 mbijetuan dhe 7 të tjerë rezultuan të humbur.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012/ TV Klan

ME TE LEXUARAT