Deutsche Welle: Dhunë në protestën e banorëve në Tiranë

Aktualitet

Protesta e banorëve që kundërshtojnë prishjen e banesave në gjurmën e projektit së Unazës së Re, ka arritur kulmin mesditën e 22 Nëntorit.

Protesta ka nisur 19 ditë më parë nga banorët e zonës së Astirit në Tiranë, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre që ndodhen në gjurmën e projektit të Unazës së Re. Teksa në Parlamentin e Shqipërisë diskutohej për buxhetin e vitit 2019, jashtë ambienteve të tij protestuesit janë përleshur me forcat e rendit dhe të sigurisë publike.

Fillimisht protestuesit janë tubuar me pankarta në duar ku shkruhej "Të mjerë, të pashpirt, të çmendur”, duke u mbështetur edhe nga përfaqësues të opozitës. Më pas situata është rënduar, deri në përdorimin e dhunës.

Sipas Këshilltarit për Mediat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, mësohet se janë plagosur 13 efektivë policie, të cilët janë nën kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës. "Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Një police ka humbur gishtat e dorës nga lëndët piroteknike të përdorura nga protestuesit, ndërsa polici tjetër ka humbur dëgjimin” – i tha Mullai Deutsche Welle-s.

Disa të plagosur

Mes të lënduarve nga përleshja e dhunshme rezulton të ketë edhe protestues, tre prej të cilëve janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësorë në spital. Ndërkohë burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se kanë shoqëruar 11 protestues, të cilët akuzohen për veprat penale: "plagosje të rëndë me dashje”, "organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, "prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe "goditje për shkak të detyrës”.

Në lidhje me ngjarjen reaguan kryeministri Edi Rama, i cili i konsideroi protestuesit si "zaptues profesionistë” dhe tha se "shqiptarët nuk do të punojnë për ata që kanë shkelur ligjin”, duke iu referuar taksave të qytetarëve dhe dëmshpërblimeve, që kërkojnë banorët e prekur nga prishja e banesave.

Përgjatë orëve të pasdites ai vizitoi nga afër efektivët e policisë në ambientet e spitalit të Traumës. Më herët, atje ishte edhe ministri i dekretuar i Brendshëm Sandër Lleshi, i cili deklaroi se "ata që kanë guxuar të ngrenë dorë, mos ta kuptojnë tolerancën si dobësi. Nuk është akt dobësie dhe nuk ka për t'u toleruar”.

Protesta dhe dëmshpërblimet

Banorët e zonës së "Astirit” prej 19 ditësh protestojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimeve me vlerën reale të tregut. Nga 242 objekte të cilat do të prishen, shifër e bërë publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, qeveria do të dëmshpërblejë vetëm ata të cilët disponojnë çertifikatën e pronësisë.

Ndërsa Bashkia e Tiranës ka deklaruar pak kohë më parë se do të japë një bonues qiraje për një periudhë 3-vjeçare për të gjithë ata që nuk do të dëmshpërblehen pasi nuk kanë banesa të legalizuara. Kostoja totale e këtij projekti është denoncuar vazhdimisht nga opozita e vendit, e cila e ka akuzuar qeverinë aktuale për korrupsion, duke pretenduar se për 2.2 kilometër rrugë do të shpenzohen 40 milionë euro.

Projekti i Unazës së Re

Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri publik më herët lajmin se gjurma e këtij projekti daton që në vitin 1989, që në kohën e qeverisë komuniste të Adil Çarçanit. Projekti aktual ecën në të njëjtën gjurmë. Ky projekt parashikon të bashkojë Shkollën Teknologjike me sheshrrotullimin "Shqiponja” dhe në përbërje të tij janë parashikuar tre lote, me mbikalime dhe nënkalime, të cilat synojnë të shmangin trafikun gjithnjë e më të rënduar të kryeqytetit.

ME TE LEXUARAT