Dashuria për librin, përpjekjet për të tërhequr lexuesin, edhe në bibliotekat e vogla

Aktualitet

Në përgjithësi, paraditja i gjen bosh bibliotekat. Pavarësisht se në bibliotekën e njësisë bashkiake nr.8 “Hamit Beqaj” rezultojnë 437 kartela lexuesish, vetëm 15 prej tyre janë lexues të rregullt.

Të dhënat tregojnë që vajzat janë më të afruara me librin, pasi vetëm 40% e të regjistruarve janë meshkuj. Ndërkohë, ajo çka bie në sy është grupmosha nga 4-18 vjeç, që i janë drejtuar më tepër deri më tani bibliotekës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Leximi nuk duhet të jetë i izoluar, kështu që, për të thithur fëmijët dhe të rinjtë kemi filluar me lexime për fëmijë dhe kontakte me të rinj dhe shohim që interesi i tyre nuk mungon nëse kanë një derë të hapur”, u shpreh Anisa Ymeri, punonjëse biblioteke.

Dejvis është një nga dashamirësit e vegjël të librit. I shoqëruar nga e ëma, 10-vjeçari preferon të lexojë në bibliotekë: “Në bibliotekë jam më i përqëndruar se në shtëpi. Pasi mbarova Aventurat e Çapaçulit, kam nisur Udhëtimin e anijes me vela”.

Deri më tani, biblioteka shtetërore nr.8 ka rreth 16 mijë libra, nga të cilët 1836 janë autorë shqiptarë, por kërkesat për furnizim me libra nuk mungojnë.

“Titujt e mirë, autorët e mirë, përkthimet e mira nuk mungojnë, madje as ekzemplarët e rrallë nuk mungojnë. Furnizimi me librin e ri patjetër që është një problem. Ndërkohë, më herët ka pasur furnizime të herëpashershme me literaturën e fundit, qoftë shkencore apo historike dhe sigurisht tani ne kemi një thirrje nga Bashkia Tiranë që të çojmë librat që kërkojnë lexuesit, në mënyrë që biblioteka të pasurohet”, shpjegon punonjësja. / Top Channel

ME TE LEXUARAT