Mbyllja e basteve sportive, të enjten votohet

Komisioni parlamentar i Ekonomisë pritet të shqyrtojë të henën dhe të marten (22-23 tetor) projektligjin që synon ndërprerjen e ushtrimit të aktivitetit të lojërave të fatit për kategoritë “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë”. Votimi i nismës është parashikuar të bëhet në seancë plenare të datës 25 tetor, raporton portali ekonomik SCAN.

Referuar relacionit të nismës ligjore të depozituar në Kuvend, “ky projektligj është në të njëjtën linjë me ndalimin ligjor të parashikuar për kazinotë elektronike dhe bingot tradicionale, të cilat kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri më 31 dhjetor 2018”.

Kliko per me shume info

Ky projektligj, sipas relacionit, synon të ndjekë të njëjtën logjikë dhe të njëjtin afat edhe për kategoritë “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë”.

Në relacion evidentohet fakti se “për vazhdimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie, po konsiderohet mundësia e trajtimit të saj si monopol shtetëror dhe ushtrimi i kësaj veprimtaria nga struktura shtetërore të ngritura posaçërisht për ushtrimin e tij”. Megjithatë, në daljet publike të ditëve të fundit dhe në fjalën e mbajtur në seancën e fundit plenare, kryeministri ka deklaruar se është parimisht kundër vendosjes së monopolit shtetëror edhe pse është i hapur për propozime.

Ndërkohë, për depozitimin e amendamenteve për këtë nismë ligjore afati i fundit është data 22 tetor./SCAN

loading...