Adriatik Llalla rikthehet në Shqipëri, kërkon zhbllokimin e pronave 1 milionë euro

Aktualitet

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është kthyer në vend për t’u marrë me çështjet e mbetura pezull me drejtësinë. Diten e sote është mbajtur seanca e parë për ankiminin e sekuestros preventive të disa prej pasurive të Llallës, masë që u vendos në 20 korrik nga gjykata e Durrësit.

Ky fakt është bërë i ditur nga vet ish-kryeprokurori për ‘News24’, ndërsa pohoi shkurtimisht se: “Ankimova sekuestrimin e pronave”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Llalla bëri me dije se aktualisht ndodhej në Shqipëri, pasi u tha se ai qëndroi për disa kohë në Turqi. Ndër të tjera Llalla po merret edhe me ankimin e vendimit të Institucionit të Komisionerëve Publik, ku ky i fundit kërkoi nënshtrimin e ish-kryeprokurorit në procesin e vettingut. Kujtojmë se Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, KPK, për ndërprerjen e vetingut ndaj Llallës.

Llalla është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi akuzohet për pastrim parash. Sipas hetimeve të Prokurorisë ka dyshime se pasuritë e Adriatik Llallës janë të pajustifikuara, ndërsa vlera e tregut të pasurive të paluajtshme kap shifrën e 98.772.000 lekëve. Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një ish-Prokuror i Përgjithshëm vihet nën hetim për akuzën e rëndë të pastrimit të parave dhe i sekuestrohet pasuria. Akuza në fjalë ishte pothuajse e paralajmëruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit kur e motivoi futjen e familjes Llalla në listën e saj të zezë, duke mos i lejuar të udhëtojnë drejt SHBA, me pretendimin për përfshirje në raste të mëdha korrupsioni të ish-kryeprokurorit, gjatë kohës që ka qenë në këtë detyrë.

NJOFTIMI I PROKURORISE PER SEKUESTRIMIN

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, mbi bazën e akteve të ardhura për kompetencë lëndore nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ka rregjistruar proçedimin penal nr.65 viti 2018, në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë proçedim penal, në bashkëpunim të ngushtë me policinë gjyqësore në Drejtorinë Hetimore Qëndrore, pranë Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë, janë kryer një sërë veprimesh hetimore.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale.

Me vendimin nr.179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, vendosja e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme:

PASURITE QE SEKUESTROHEN

Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;

Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë;

Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë në datën 23.07.2018 ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të mësipërme. Vlera e tregut e pasurive të paluajtshme të mësipërme, në total është në shumën 98.772.000 lekë.Vijojnë hetimet e mëtejshme lidhur me këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë.

ME TE LEXUARAT