Ky është plazhi i “vdekjes” në Shqipëri, ruhet me policë që të mos laheni

Aktualitet

Gjatë kësaj fundjave pati dyndje pushuesish në plazhin e Porton Novës. Edhe pse njihet si një nga plazhet më të rrezikshëm pasi disa persona janë mbytur në det vitin e shkuar, kjo nuk i ka sprapsur pushuesit e shumtë që ta frekuentojnë gjatë këtyre ditëve të nxehta.

Për të shmangur këto lloj fatkeqësish, duke parë dhe motin me erë të fuqishme dhe detin me dallgë, është ngritur një patrullë e policisë bashkiake të Vlorës për të sensibilizuar dhe njoftuar çdo plazhist për rrezikshmërinë, dhe për kujdesin që duhet të tregonin në det.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shefi i policisë bashkiake të Vlorës Mejtim Meçe tregoi për Top Channel masat e marra për sigurinë e plazhistëve.

“Që në orët e para të mëngjesit morëm informacionin që këtu kishte një dyndje pushuesish. Dërguam një shërbim të policisë bashkiake për t’i sensibilizuar në fund të fundit, por edhe për t’i ndaluar. Tashmë siç e shikoni nuk janë më shumë se rreth njëzetë makina, ku në mëngjes ishin rreth 100 makina. Zona e Porto Novës ku jemi, nuk konsiderohet plazh, nuk hyn në zonat e konsideruara nga bashkia për plazh, detyrimisht këtu nuk mund të ketë roje,” u shpreh ai.

Shumë prej pushuesve nuk ishin në dijeni të rrezikshmërisë që paraqet zona detare në këtë plazh.

“Kemi parë tabelat, por nuk e kemi dëgjuar,” thotë një pushuese.

“Erdhëm njëherë dhe na pëlqeu. Ka qetësi dhe është uji i pastër,” shprehet një tjetër pushuese.

Gjatë kësaj të diele më shumë se 100 makina me pushues mbërritën në plazhin e Porto Novës. Krahas patrullimit me policë bashkiakë, në hyrje të plazhit është vendosur një tabelë që tërheq vëmendjen e personave për rrezikshmërinë në det.

ME TE LEXUARAT