Tatimet kontrolle në 1.770 biznese të turizmit, 250 mijë euro gjoba

Aktualitet

Kontrollet nga organet tatimore zbulojne se gjysma e bizneseve të turizmit punojnë në kushte informaliteti, duke fshehur taksat që duhet t’i paguajnë arkës së shtetit. Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve deklaroi se dy javët e fundit inspektorët tatimorë kanë kontrolluar në terren mbi 1.770 biznese në fushën e turizmit, nga të cilat 49 për qind janë kapur me shkelje fiskale.

Sipas Tatimeve, rastet më të shumta të shkeljeve janë ato të moslëshimit të kuponit tatimor për të fshehur xhiron reale, mosregjistrimit të punonjësve, apo blerjeve të mallrave të pashoqëruara me faturë. Por, veç këtyre parregullsive, nga kontrollet janë gjetur edhe biznese, që ushtronin aktivitet të paregjistruara fare në organet tatimore.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Administrata e Tatimeve raporton se të gjithë këto subjekte janë penalizuar me gjoba, që kapin një vlerë totale rreth 250 mijë euro. Ndërsa për tre biznese, që janë kapur në shkelje të përsëritur për moslëshim kuponi, është marra masa e mbylljes së aktivitetit për 30 ditë.

Turizmi konsiderohet si një nga sektorët me informalitetin më të lartë. Sipas analizave kompjuterike të riskut, që zhvillon administrata tatimore, gati gjysma e bizneseve të turizmit, si hotelet, bar restorantet apo pubet verore, rezultojnë të jenë në informalitet.

Prej dy javësh tatimet kanë nisur një fushatë të gjerë kontrolli për bizneset e turizmit, e cila synon jo vetëm të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit, por edhe të vendosë barazinë në treg për të mos dëmtuar bizneset korrekte. Sipas Tatimeve, kontrollet do të përfshijnë mbi 16 mijë biznese të lidhura me turizmin, veçanërisht ato që deklarojnë xhiro të ulëta, ose ende nuk kanë ndryshuar statusin e tyre në aktiv.

ME TE LEXUARAT