Çështja e emigrantëve, në krye të agjendës së Samitit të BE-së

Bota

Emigracioni është tema kryesore e Samitit të krerëve të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel, rëndësia e të cilit u theksua edhe nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila tha se e ardhmja e unionit varet nga përgjigjet që do të gjenden për këtë çështje thelbësore.

Por, ndarjet për emigracionin e jashtëligjshëm vazhdojnë të thellohen, e ardhja në pushtet e qeverisë populiste në Itali e ka përshkallëzuar krizën.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Analistët mendojnë se, në këtë kuadër, Jugu i Europës, që përballet drejtpërdrejt me fluksin e emigrantëve dhe që ndihet i braktisur nga BE-ja, është vendosur kundër Veriut të kontinetit.

Jo më kot, shefi i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se brishtësia e BE-së po rritet, ashtu si të çarat brenda në union. Janë pikërisht udhëheqësit e mbledhur në Bruksel, ata që duhet të adresojnë situatën dhe deklaratat e para nuk duken premtuese.

Austria tha se shpëtimi i njerëzve në Mesdhe nuk duhet kthyer në një biletë drejt Europës Qendrore, ndërsa Italia u shpreh se nuk i hyjnë më në punë fjalët, por ka nevojë të shohë vepra nga Europa.

Për Merkelin, çështja e emigracionit është një temë që rrezikon qeverinë e saj, pasi partneri në koalicion CSU i ka vendosur ultimatum deri në fundjavë për të arritur një marrëveshje për ndalimin e ardhjeve të reja.

Me Italinë që mbyll portet, me disa vende që refuzojnë shpërndarjen e emigrantëvedhe fluksin që nuk ndalet, BE-ja gjendet përballë një sfide të madhe, për të cilën kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se rreziku është i lartë, ndërsa koha e shkurtër.

Megjithatë, serioziteti i samitit nuk i ka bërë krerët të harrojnë Botërorin e futbollit, me kryeministrin belg Charles Michel që i dhuroi kryeministres Theresa May bluzën e ekipit të tij kombëtar, para sfidës së sotme mes Blegjikës dhe Anglisë.

ME TE LEXUARAT