Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Mblidhen anëtarët e gjykatës Speciale në Hagë

Për dy ditë, në Hagë gjykatësit e Tribunalit Special kanë diskutuar dhe janë informuar për detyrat e tyre. Kjo ka qenë plenarja e tretë e gjyqtarëve të gjykatës speciale.

Ky është njoftimi i plotë:

Më 15 dhe 16 mars 2018, Gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mblodhën në Hagë për Plenaren e tretë.

Me miratimin, rishqyrtimin dhe hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave gjatë Plenares së parë dhe të dytë mbajtur në vitin 2017, në korrik të atij viti gjykatësit krijuan kushtet që Dhomat e Specializuara të jenë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor. Duke qenë se Rregullorja nuk është provuar ende në praktikë, kësaj radhe nuk ishte e nevojshme të propozohen ose diskutohen ndryshime të saj.

Në Plenare gjykatësit u informuan për veprimtaritë e Zyrës Administrative gjatë vitit të kaluar, të cilat kanë mundësuar edhe më tej zbatimin efikas të mandatit të Dhomave të Specializuara. Gjatë diskutimeve, gjykatësit u përqendruan në detyrat për t’u realizuar në të ardhmen.

Në pajtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar, të gjithë gjykatësit e Dhomave të Specializuara janë pjesë e Regjistrit të gjykatësve, por nuk marrin kurrfarë pagese apo përfitimi vetëm nga fakti se bëjnë pjesë në këtë Regjistër. Gjithashtu, ata janë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm sipas nevojës, me kërkesë të Kryetares, për të ushtruar funksionet që kërkojnë praninë e tyre. Një shembull i tillë janë Plenaret, që synojnë shkëmbimin e mendimeve midis gjykatësve dhe që zakonisht mbahen në prani të tyre në mjediset e Dhomave të Specializuara.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet