Supergrabitjet e bankave, rëndohen akuzat për Admir Muratin dhe miqtë, ja dyshimet e prokurorisë

Aktualitet

Telashe të reja për Admir Muratajn dhe miqtë e tij, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal, që grabisnin blindat me para të bankave të nivelit të dytë.

Prej më shumë se një viti, ata janë nën hetim për grabitjet e dy blindave në rrugën e Rinasit, ngjarje të ndodhura me 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017, por faktet e reja që kanë dalë në dritë e rëndojnë jo pak pozitën e tyre.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Prokuroria për Krime të Rënda, ka dyshime se të njëjtët persona janë të përfshirë edhe në grabitjen e një tjetër filiali banke tri vite më parë në Tiranë.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur me 13 shkurt 2015 zonën e stacionit të Trenit, ku tre persona të maskuar dhe armatosur sulmuan blindat në momentin që po hynin në ambientet e bankës dhe morën katër thasë më para.

Për më shumë se dy vite, ngjarja në fjalë u hetua nga Prokuroria e Tiranës, e cila nuk mundi të identifikonte autorët e grabitjes, të cilët asokohe lanë pas një makinë që e përdorën në krim, duke e braktisur po në zonë.

Burime të besuara për News24 thanë se në automjetin e braktisur u gjetën gjurmë të grabitësve, të cilat do të krahasohen me ato të të arrestuarve për dy grabitjet në aksin Tiranë-Rinas, nga ku mundën të merrnin plot 9 milionë dollarë.

Deri më tani prapa hekurave për dy grabitjet e fundit, ndodhen Fation Xhyliu, Neim Avdulaj, Ditjon Memlika, Dash Kupa, Ernest Kupa, Dritan Sinani e Aleksandër Murataj, ndërsa në kërkim ndërkombëtar është Admir Murataj.

Ndaj tyre rëndon tashmë dyshimi se janë të njëjtët, që realizuan grabitjen e filialit të bankës shkurtin e 2015.

Pas dëshmisë që dha i penduari i bandës, Admir Cerpja, i cili ka rrëfyer me detaje të gjithë aktivitetin kriminal, prokurori vendosi në dhjetor të 2017, që t’i bashkonte dosjet në një te vetme.

Për të kryer veprime të reja hetimore, për akuzën e re, prokuroria për Krime të Rënda, firmosi zgjatjen e afateve edhe për tre muaj të tjerë, vendim që u kundërshtua nga të arrestuarit./Balkanweb/

ME TE LEXUARAT