Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

“Rrojmë me djersën e ballit”, vëllai i Eskobarit të Ballkanit: Santa Quaranta u ndërtua me para të pastra

Vëllai i Klemend Balilit, Bashkim Balili në një intervistë për Ora News, deklaron se hoteli i sekuestruar nga Policia, Santa Quaranta, është ndërtuar sipas tij me lekë të pastra dhe akuzon politiken se po e perdorin per interesat e tyre.

Pyetje: Ju kanë sekuestruar hotelin Santa Quaranta në Sarandë, 2.8 ha tokë, 36 apartamente, njësi shërbime me sipërfaqe 2178 metër katëror, këto pasuri janë tuajat apo ka pjesë edhe vëllai juaj Klement Balili?

Bashkim Balili: Klement Balili nuk ka pjesë në këtë pasuri. Kjo pasuri është e Bashkim Balilit. Që të qartësohen politikanët, analistet dhe mediat të cilët deri tani kanë disiformuar të vërtetën. E vërteta e kësaj të vërtete është: Unë jam Bashkim Balili dhe kam filluar aktivitetin që në vitin 1994 dhe kam provat që jam subjekt dhe ushtroj aktivitetin konform rregullave dhe ligjit të shtetit shqiptar. Nuk kam filluar në 2015 sic pretendohet dhe imponohet për të marrë masa ekstreme. Unë kam marrë pjesë në ankandin e zhvilluar për shitjen e pasurive nga transparenca. Me ofertën ekonomike më të madhe nga të gjithë ofertuesit e tjerë jam shpallur fitues pa asnjë ndikim. Kjo pasuri është blerë nga Bashkim Balili që jam unë.

Pyetje: Me çfarë para është blerë kjo pasuri, kjo pronë?

Bashkim Balili: Kjo është blerë me të ardhurat e firmës. Të ardhurat e firmës time nga 1994 deri në 2001 në bazë të bilanceve, vlera e blerjes së objektit është 84 milionë e 60 mijë lekë. Të ardhurat e subjektit në bazë të bilanceve të deklaruara në tatime janë 85 milionë që janë më shumë sesa vlera e objektit dhe kjo pasuri është blerë me para të pastra të rrjedhura nga biznesi. Në kohën kur unë kam filluar biznesin vëllai im ka qenë adoleshent, nuk kishte moshën për të qenë në biznes dhe për tu marrë me biznes dhe me këto shpifje.

Pyetje: Pra ju po thoni që këto pasuri janë të justifikuara sipas ligjit, po pse keni pritur deri tani, pse nuk dolët më parë për ti justifikuar?

Bashkim Balili: Unë nuk dola sepse thashë që ja lashë drejtësisë të bëntë punën e vet. Drejtësia e çalë, jo vetëm që nuk bëri punë , por e ndërtoi në një arenë shpifjesh të cilën e shfrytëzuan politikanët për interesa të ndryshme. Të gjithë këta politikanë që dalin dhe tundin letra, ose këta të medias që janë të desinformuar, a mund të më venë në dispozicion ndonjë letër sepse unë jam i hapur dhe bashkëpunues me të gjitha institucionet shtetërore, të vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e duhur të cilët ta vërifikojnë të kalojnë në filtra dhe ta shikojnë nga kanë ardhur këto para? Kanë ardhur nga biznesi apo kanë ardhur nga shpifjet që thonë këta?! Prandaj unë ja kam lënë drejtësisë, por drejtësia nuk e ka bërë punën e saj dhe nuk po e bën sepse ka 1.5 e gjysëm që ngeli në fokus të mediave, Klemend Balili, Balilajt. Kush janë këta Balilajt? Ne jemi njerëz të thjeshtë, punojmë dhe rrojmë me djersën e ballit dhe po të them dhe njëherë kam vlerat të nxjerra nga eksperti kontablë, dhe të ballafaqohemi me këta politikanët.

Pyetje: Pra ju po thoni që politika ju ka përdorur për qëllime politike, cilat janë këto arsye, për çfarë qëllimesh ju kanë përdorur dhe ju keni përfituar ndoshta nga politika për ngritjen e këtyre bizneseve?

Bashkim Balili: Në mënyrë absolute jo, nuk kam përfituar nga politika dhe le të dalë një njeri të thotë që Bashkim Balili ka trokitur në dyert e politikanëve. Unë nuk kam përfituar nga politikanët. Jam shtetas shqiptar, shkoj në votime se është detyrim, kamë bindjet e mia, sic kanë qenë njëherë tek X, njëherë tek Y dhe njëherë te Z-ta.

Pyetja: Atëhere pse po ju përdorin?

Bashkim Balili: Këtu politikanët më përdorin pa më njohur mua për të mbuluar interesat e tyre. Duke e ndjerë se brenda vetes kanë atë krizën e tyre, e nxjerrin lajm kryesor, “Eskobarin” e Ballkanit. Pra për interesa të tyre për të mbuluar krizën e tyre kanë filluar të gjithë politikanët e të gjitha ngjyrave të përdorin këtë “eskobar, eksobar, eskobar”./oranews/

Leave A Reply

Your email address will not be published.