Dështon përsëri vazhdimi i seancës themeltare në Kuvendin e Kosovës

Kosovë&Rajon

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar edhe vazhdimi i pestë i seancës themeltare. Koalicioni PAN dhe minoritetet e bojkotuan seancën, ndërsa në sallë kishte vetëm 53 deputetë nga Vetëvendosje dhe koalicioni LAA.

Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, tha se do ta zhvillojë edhe një takim konsultativ të mërkurën ashtu siç ka kërkuar koalicioni PAN.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ka dështuar përsëri themelimi i Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospjesëmarrjes së koalicionit PAN në seancë.

Deputetë të koalicionit LDK AKR Alternativa dhe ata të Vetëvendosjes që u paraqitën në Kuvend, nuk arritën ta bëjnë kuorumin prej 61 deputetëve dhe të vazhdonin me seancën.

Edhe pse mungesa e PAN-it pamundësoi zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, megjithatë kryesuesi Adem Mikullovci kishte paraparë 2 skenarë në rast se do të arrihej kuorumi.

Në mungesë të kuorumit, përfaqësues të partive politike të pranishme në Kuvend mbajtën nga një fjalim.

Ndërkohë në seancë deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, ka polemizuar me deputetin e Vetëvendosjes Frashër Krasniqi i cili tha se komandantët e PAN-it, Haradinaj e Veseli, nuk patën guxim të vijnë në seancë.

Ndërsa, deputeti i LDK-së Arben Gashi, dha një propozim personal, duke kërkuar që Vetëvendosje, koalicioni LAA dhe minoritetet të propozojnë kandidatët e tyre dhe t’i zgjedhin nënkryetarët nga subjektet e tyre që u takojnë me Kushtetutë dhe të krijojnë një momentum të ri.

Por, kryesuesi i seancës tha se kjo nuk mund të bëhet, pasi gjithë nënkryetarët zgjidhen në pako, pos atyre të minoriteteve.

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci paralajmëroi sërish takim konsultativ për caktimin e seancës së radhës duke kërkuar nga PAN-i që të shkojë dhe të propozojë se kur do të vijë në Kuvend për ta zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Për këtë takim konsultativ të cilin Mikullovci tha se do të jetë i fundit, Vetëvendosje është shprehur kundër duke konfirmuar se nuk do të marrë pjesë, përderisa koalicioni LDK AKR Alternativa kanë bërë të ditur se do të marrin pjesë në çdo takim që do të thirret në formë të rregullt.

ME TE LEXUARAT