As Kanio, as Panuçi? Zyrtare, ky është trajneri që do të zëvendësojë De Biazin

Sport

Janë metrat e fundit të “garës”. Luixhi De Kanio dhe Kristian Panuçi po presin prerjen e finishit për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare të futbollit.

Java e ardhshme, pritet që të vendosë përfundimisht për pasuesin e Xhani De Biazit. “Panorama Sport”, ka mësuar se Panuçi, gjatë ditëve të fundit, ka parakaluar De Kanion dhe është më pranë stolit të kuqezinjve.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

BALOTAZHI

Prej javësh, Federata Shqiptare e Futbollit ka testuar dhe intervistuar një sërë kandidaturash për trajnerin e ri të përfaqësueses së futbollit. Në listë kanë qenë trajnerë si Klarenc Sedorf, Valter Zenga apo janë vetofruar edhe emra si ai i Zven Goran Erikson. Së fundmi, rrethi i pretendentëve është ngushtuar së tepërmi.

“Panorama Sport” ka mësuar se do të jenë ditët e fundit të pritjes dhe trajneri i ri mund të jetë Panuçi. Ky i fundit, duket se ka kaluar si alternativë e parë, megjithëse Luixhi De Kanio ka qenë shumë pranë arritjes së marrëveshjes me FSHF-në. Trajneri 59-vjeçar, ishte alternativë bindëse jo vetëm me eksperiencën e tij, por edhe me faktin që është i sprovuar gjatë karrierës dhe marrja e drejtimit të Kombëtares është vazhdimësi e punës së tij, jo pikënisje.

Burime pranë institucionit të futbollit në vendin tonë bëjnë me dije për gazetën se ditët e para të kësaj jave do të jenë vendimtaret në të cilat pritet që të ketë “tym të bardhë” nga selia e futbollit.

PËRZGJEDHJA

Dilemat për teknikun e ri kanë qenë të ndara mes një kandidati që do të kishte eksperiencë të mjaftueshme apo një tekniku që ka pasur karrierë brilante në futbollin e luajtur dhe numëron më pak ekipe të drejtuara. Profilin e këtij të fundit ka pasur edhe Panuçi.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares italiane ka qenë një nga “nxënësit” më të besuar të Fabio Kapelos. Ky i fundit e ka pasur Panuçin në skuadër edhe kohët e fundit në drejtimin e Rusisë, në rolin e ndihmëstrajnerit. Jo vetëm kaq, por edhe motivimi maksimal për të marrë një skuadër Kombëtare, e ka mbajtur Panuçin në garë si pretendent për stolin.

Ai, gjithashtu ka pranuar një pagë fare të ulët në krahasim me kandidatët e tjerë. Megjithëse, eksperienca e ish-trajnerit të Napolit kanë bërë De Kanion që të shihej me më tepër prioritet nga Armand Duka dhe FSHF, Panuçi duket se “po merr krahun” dhe pritet që të pasojë De Biazin në krye të Kombëtares shqiptare të futbollit.

 

ME TE LEXUARAT