Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Zbardhet dëshmia e plotë/ Rrëfehet Denis Shtraza: Si u njoha me Gaz Çollakun, ndërsa me Dalipajn u takova në…

Denis Shtraza, i akuzuar si bashkëpunëtor në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës, dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda se nuk ka lidhje me krimin e ndodhur.

Duke pretenduar se është arrestuar gabimisht, Shtraza tha se në momentin që është rrëmbyer Çollaku, ndodhej në Tiranë duke pirë kafe me një shoqen e tij, Marsela. E ndërsa nuk preferoi që në gjykatë të jepte edhe mbiemrin e vajzës, Shtraza tha se kishte frikë se mos kishte të njëjtin fat si shoku i tij, Ervin Dalipaj.

Ky i fundit ishte në kërkim nga policia si person që kishte gisht në rrëmbimin e Çollakut, ndërsa në Sukth të Durrësit iu bë atentat bashkë me mikun e tij, me të cilin ishin duke lëvizur në të njëjtën makinë. Deniz Shtraza këmbëngulte se me Çollakun kishte raporte të mira shoqërore dhe se vrasjen e tij e kishte mësuar në polici, pasi ishte ndaluar.
“Me Gazmend Çollakun jam njohur në vitin 2008 në burg. Ai ka qenë i dënuar për plagosje, unë për armëmbajtje. Kemi pasur raporte të mira bashkë. Nuk kemi pasur konflikte. Në burg mbanim edhe agjërim bashkë. Madje, kur unë dola nga burgu, i kam dërguar edhe cigare”, – iu përgjigj i pandehuri Denis Shtraza pyetjeve të prokurorit të Krimeve të Rënda. Ai pohoi më tej, se në vitin 2013 ishte plagosur me armë në një lokal në Durrës, dhe se për këtë gjë nuk e kishte fajësuar asnjëherë Gazmend Çollakun. “Për këtë ngjarje drejtësia ka dënuar disa persona dhe për mua kjo histori është e mbyllur”, – u shpreh Shtraza. Ndërsa, në lidhje me ditën kur u rrëmbye Çollaku, Shtraza përmendi si alibi se ndodhej në Tiranë pasi ishte takuar me një shoqen e tij. “Isha duke pirë kafe me një shoqen time, quhet Marsela. Kam frikë ta them mbiemrin se ça s’po ndodh këtu”, – pohoi Shtraza. Lidhur me këtë gjë, avokatët mbrojtës të të pandehurit kërkuan që vajza në fjalë, gjeneralitetet e plota të së cilës janë në dokumente, të thirret në gjykatë për të dëshmuar, por që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura, për të ruajtur anonimatin e saj, e për rrjedhojë edhe jetën. Gjatë dëshmisë së tij, Shtraza foli edhe për mënyrën sesi ishte njohur me të ndjerin Ervin Dalipaj, si dhe takimin që kishte pasur me të ditën që është rrëmbyer Çollaku. Denis Shtraza tha dje se në procesverbalin e policisë, disa nga deklarimet e tij janë shkruar tamam nga policia e disa gjëra jo, për këtë fakt, mbrojtja e të pandehurit tha se Shtraza ka pohuar se ditën që ka ndodhur ngjarja është takuar dy herë me Dalipajn dhe kur e ka takuar, i ka thënë “eja më merr pas 3 orësh” dhe jo siç është shkruar në procesverbal se kanë qëndruar për 3 orë. Ndonëse janë në pritje të mbërritjes së një akt-ekspertimi nga Gjermania të sistemit GPS të makinës me të cilën udhëtonin Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza, në seancën e djeshme prokuroria depozitoi prova shkresore e materiale të kamerave të sigurisë që tregojnë udhëtimin e Shtrazës, si dhe një procesverbal ku rezulton se gjatë hetimeve paraprake për këtë dosje, janë pyetur edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani.

Prokurori: Në çfarë rrethanash jeni njohur me Gazmend Çollakun?
Shtraza: Jemi njohur në burg.
Prokurori: Kur, në çfarë viti?
Shtraza: Në vitin 2008.
Prokurori: Për çfarë ishte dënuar ai (Çollaku)?
Shtraza: Për plagosje.
Prokurori: Të kujt?
Shtraza: Të B.B. (thotë gjeneralitetet e plota).
Prokurori: Po ju për çfarë ndodheshit në burg?
Shtraza: Unë për armëmbajtje pa leje.
Prokurori: Si shkonit bashkë, a keni pasur konflikte?
Shtraza: Jo nuk kemi pasur konflikte. Në burg mbanim edhe agjërim bashkë. Madje, kur unë dola nga burgu i kam dërguar edhe cigare.
Prokurori: Ju keni pasur një ngjarje. Çfarë ju ndodhi?
Shtraza: Në vitin 2013 më kanë plagosur me armë zjarri në një lokal në Durrës.
Prokurori: Po me Gazmend Çollakun jeni takuar?
Shtraza: Po, kur ka mbaruar dënimin kemi pirë kafe dhe jemi përshëndetur bashkë. Ishte djalë i mirë.
Prokurori: Ku, në çfarë vendi jeni takuar?
Shtraza: Afër “Vollgës”.
Prokurori: Kur u vutë ju në dijeni për ngjarjen e Gazmend Çollakut?
Shtraza: Atë ditë kam qenë në Tiranë. Po pija kafe me një shoqen time në një lokal tek zona e “21 Dhjetorit”.
Prokurori: Ku është kjo shoqe? Si quhet ajo?
Shtraza: Marsela.
Prokurori: Marsela kush? Të dhëna të tjera…
Shtraza: Kam frikë ta them mbiemrin se ça s’po ndodh këtu.
Prokurori: Si “ça s’po ndodh këtu”?
Shtraza: Po, siç i ndodhi edhe shokut tim (Ervin Dalipajt).
(Ndërhyjnë avokatët mbrojtës të Denis Shtrazës të cilët kërkuan që kur kjo shtetase të thirret në gjykatë për të dëshmuar, procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura për të ruajtur anonimatin dhe jetën e saj. Për këtë gjë, si argument, avokati u shpreh për largimin nga Shqipëria të vëllait të Shtrazës, si dhe marrjen e azilit pas një sulmi me armë që ndodhi në shtëpinë e tij, atëherë kur Shtraza po priste të dilte në gjykim”.
Prokurori: Ju thatë se ndodheshit në Tiranë. Po në Durrës me kë keni shkuar?
Shtraza: Me Ervin Dalipajn.
Prokurori: Me çfarë shkuat?
Shtraza: Me makinën e tij.
Prokurori: Si ke komunikuar me Ervin Dalipajn?
Shtraza: Ishte tek lokali ku ndodhesha edhe unë. Jemi takuar pasdite dhe në darkë.
Prokurori: Me kë ndodhej ai?
Shtraza: Me miqtë e tij.
Prokurori: I njihje? Kush ishin ata?
Shtraza: Jo, nuk i njihja. Nuk e njoh shoqërinë e tij.
Prokurori: Po me Ervin Dalipajn si jeni njohur?
Shtraza: Me Ervinin jemi njohur në plazh në Durrës. Unë kam pasur një plazh privat dhe ai vinte atje bashkë me familjen e tij.
Prokurori: Para se të niseshe për në Durrës çfarë bëtë?
Shtraza: Kur erdhi Ervin Dalipaj për të më marrë bëmë xhiro me makinë nëpër Tiranë dhe më pas u nisëm për në Durrës.
Prokurori: Kush e drejtonte makinën”
Shtraza: Ervini ishte shofer, unë pasagjer në sediljen e parë.
Prokurori: Çfarë ndodhi më pas?
Shtraza: Rrugës për në Durrës na ndaloi policia. Na kontrolloi dhe na morën në polici, na pyetën atje.
Prokurori: Dhatë deklarime?
Shtraza: Po. Orare e gjëra. Disa janë shkruar tamam nga policia e disa gjëra jo.
Prokurori: Në sediljen ku ishit ulur ju janë gjetur celularë. Ka qenë ndonjëri prej tyre i juaji?
Shtraza: Nuk kam dijeni. Unë nuk mbaj telefon me vete.
Prokurori: A konstatuat diçka në makinë?
Shtraza: Jo, vetëm rrugën bëra.
Prokurori: Ju tha gjë Ervini rrugës? Për çfarë biseduat?
Shtraza: Muhabete plazhi bëmë.
Prokurori: Në Janar muhabete plazhi?
Shtraza: Po, këto gjëra.
Prokurori: A kishit dijeni nëse Ervin Dalipaj ka pasur konflikte?
Shtraza: Jo.
Gjyqtari: Nga kaluat kur shkuat për në Durrës, nga autostrada?
Shtraza: Po, nga autostrada.
Avokati: A ka persona që kanë dijeni për marrëdhënien tuaj me Gazmend Çollakun?
Shtraza: Po, ka.
Avokati: Në vitin 2013 ju jeni plagosur me armë zjarri në një lokal në Durrës. A jeni shprehur diku mes shokësh apo në ambiente se kjo mund t’ju jetë bërë nga Gazmend Çollaku?
Shtraza: Jo.
Avokati: Kush mendoni se mund t’ju ketë qëlluar?
Shtraza: S’e di, kam pasur konflikte për sherre koti, banale. Gazmend Çollakun nuk e kam akuzuar asnjëherë. Personat që e bënë janë gjykuar.
Avokati: Ndonjë emër?
Shtraza: Nuk i kujtoj mirë, por emrat janë në gjykatë.
Avokati: Ju thatë se jeni takuar me Ervin Dalipajn në lokal rreth orës 5 ose 6 pasdite. Sa qëndruat bashkë?
Shtraza: Në lokal kam qenë me shoqen time, ai me miqtë e tij. Me të jam takuar 2 ose 3 minuta. I thash pimë kafe kur të lirohesh. I kërkova të më çonte në Durrës sepse nuk kisha makinë. I thash takohemi sërish këtu pas 3 orësh. Kam shkuar tek shtëpia e shoqes dhe kur dola u ula tek lokali për ta pritur. Ishte ora rreth 10 e mbrëmjes.
Avokati: Kishit kontakte me të që u takuat në lokal?
Shtraza: Jo, rastësisht.
Avokati: Si je njohur me të?
Shtraza: Kam pasur plazh privat në Durrës. Ai vinte me familjen. I njihja edhe ata.
Avokati: Po me të fejuarën e Gazmend Çollakut njihesh? Ke pasur fërkime apo konflikte me të?
Shtraza: Po, e njoh. E kisha në lagje. Nuk kam pasur as fërkime e as konflikte me të.
Avokati: Sa orë ke qëndruar me vajzën, me shoqen tënde?
Shtraza: Deri në orën 10 ose 10 e gjysmë të mbrëmjes.
Avokati: Si u more vesh me Ervin Dalipajn?
Shtraza: I thash më gjen këtu.
Avokati: Në makinë janë gjetur njolla gjaku.
Shtraza: S’kam dijeni. E mora vesh kur u ndalova në polici.
Avokati: Po për celularët?
Shtraza: S’ka qenë asnjëri i imi.
Gjykatësi: Me çfarë erdhët nga Durrësi në Tiranë?
Shtraza: Me furgon.
Gjykatësi: Si e morët vesh për Gazmend Çollakun?
Shtraza: Që ishte rrëmbyer e pash nga televizori kur isha në shtëpinë e shoqes. Ndërsa për vrasjen e mora vesh në polici.
Prokurori: Çfarë lëvizjesh ke bërë atë ditë para se të vije në Tiranë?
Shtraza: Pasi u zgjova shkova u qetha te berberi, te lagjja. Piva kafe dhe u nisa për në Tiranë.

Dëshmia e Ervin Dalipajt para vdekjes: E vërteta e rrëmbimit të Gaz Çollakut

Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes lexoi edhe dëshminë që i ndjeri Ervin Dalipaj kishte dhënë para oficerëve të policisë, në momentin që ai ishte shoqëruar për t’u marrë në pyetje rreth rrëmbimit të Gazmend Çollakut. Ashtu siç kishte deklaruar Denis Shtraza se me Dalipajn ishte takuar në një lokal në Tiranë, të njëjtën gjë kishte pohuar edhe ai vetë. Dalipaj ishte shprehur më tej, se përveçse me Shtrazën, ishte takuar edhe me disa miq të tij po në kryeqytet, dhe se në mbrëmje vonë ishte nisur për në Durrës së bashku me Denis Shtrazën. Dëshminë e tij, Dalipaj e ka dhënë më datë 7 janar të vitit të shkuar, pasi ishte shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e Çollakut. “Më datë 6 janar kam qenë në Tiranë.
Jam takuar me disa miq të mi. Kemi pirë kafe në një lokal në zonën e njohur si ‘Tregu elektrik’. Më vonë kam shkuar te një lokal në zonën e njohur si ’21 Dhjetori’. Aty jam takuar me mikun tim Denis Shtraza. Më kërkoi që ta çoja në Durrës sepse nuk kishte makinë. Jemi nisur për në Durrës në mbrëmje vonë”, – kishte rrëfyer Dalipaj. Ai kishte treguar më tej edhe për momentin që ishin ndaluar nga policia, si dhe për telefonat e gjetur në mjetin e tij. “Nuk e di se të kujt janë telefonat që u gjetën në makinën time. Aty hipin shumë shokë të mi. Mund t’i ketë lënë ndonjëri prej tyre”, – ka pohuar Dalipaj. Ndërsa, për sa i përket mjetit identifikues që ai ka pasur në kohën kur ishte punonjës i policisë dhe për radion e policisë të gjetura në mjetin e tij, Dalipaj ishte shprehur se: “Këto i kam pasur unë që kur kam qenë efektiv policie. Është neglizhenca ime që nuk i kam dorëzuar që në momentin kur dorëzova detyrën”./gsh

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet