Pasuri të pajustifikuara; anëtarët e Gjykatës Kushtetuese deklarojnë miliona lekë cash

Aktualitet
Pasuri të pajustifikuara; anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Të vendosur nën projektorët e opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ngritën kartonin jeshil dhe i hapën rrugën zbatimit të ligjit të vetingut në dhjetor të vitit 2016. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese rrezikojnë të mos e kalojnë testin e vetingut në lidhje me pasurinë e tyre të deklaruar.

Të dhënat e siguruara përmes një analize të detajuar të deklaratave të pasurisë së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përgjatë viteve 2003-2015 tregojnë shtatë nga nëntë anëtarët e kësaj gjykate nuk e justifikojnë pasurinë e tyre për një ose më shumë vite të deklarimit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pasuria e pajustifikuar, sipas kontrollit aritmetik logjik të deklaratave të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë kap vlerën e më shumë se 35 milionë lekëve, ose 11 për qind të aseteve totale neto.

Deklaratat e pasurisë administrohen nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Nëpërmjet një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, BIRN administroi nga ILDKPKI të gjitha deklaratat e depozituara nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2015.

Të dhënat e plotësuara nga gjyqtarët në secilën deklaratë vjetore u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike, e cili bazohet në një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve dhe është e njohur si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare.

Nga 97 deklarata të analizuara përmes kësaj metodologjie, 14 rezultojnë me probleme, pasi pasuria e shtuar nuk mbulohet nga të ardhurat e deklaruara. Sipas kësaj analize, vetëm dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e kalojnë testin e justifikimit të pasurisë për të gjitha vitet e deklaruara.

Dyfishim pasurie

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pasuria e gjyqtarëve të Kushtetueses është dyfishuar përgjatë 12 viteve. Në vitin 2003, ata kanë deklaruar në total 160 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2015, pasuria e tyre kap vlerën e më shumë se 364 milionë lekëve.

Fatos Lulo rezulton gjyqtari më i pasur i Kushtetueses, i ndjekur nga gjyqtari Vladimir Kristo të cilit i ka përfunduar mandati. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se kryetari i gjykatës, Bashkim Dedja ka shënuar rritjen më të madhe në vlerë nga viti i pari i deklarimit deri në fund të vitit 2015, i pasuar në vend të dytë nga gjyqtari Fatmir Hoxha.

Gjendja e aseteve për secilin anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në datën 31 dhjetor 2015

Njësoj si gjyqtarët e tjerë të Shqipërisë, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë preferuar tregun e pasurive të paluajtshme për të investuar të ardhurat e tyre. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 55% e pasurisë së tyre përbëhet nga pasuritë e paluajtshme, me një vlerë totale të deklaruar prej 1.6 milionë dollarësh.

Në një investigim të mëparshëm të realizuar nga BIRN, investimet në pasuri të paluajtshme dominojnë edhe pasurinë e gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri. Gjysma e pasurisë totale të 81 gjyqtarëve të Apelit përbëhej nga investimet në blerjen e shtëpive dhe dyqaneve, të cilat në fund të vitit 2014 kapnin vlerën e mbi 1 miliardë lekëve ose 8.8 milionë USD.

Përveç pasurive të paluajtshme, llogaritë bankare përbëjnë zërin e dytë më të lartë në buxhetin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Llogaritë bankare zënë 26 për qind të pasurisë, paratë cash 15 për qind, automjetet 3 për qind dhe sendet me vlerë të veçantë vetëm 1 përqind.

Dhjetra milionë në cash

Në praktikat më të mira ndërkombëtare, vlerat e larta të parave cash ngrenë pikëpyetje mbi trendin e transaksioneve apo burimin e pasurisë së funksionarëve shtetërorë. Por ndonëse ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive ka vendosur si limit të parave që mund të mbahen në shtëpi shumën e 1.5 milionë lekëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e tejkalojnë shumëfish këtë vlerë.

Sipas analizës së BIRN, nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë deklaruar në ILDKP se zotërojnë në total më shumë se 54 milionë lekë cash ose 450 mijë dollarë. Të dhënat tregojnë se gjyqtari me pasurinë më të madhe, Fatos Lulo deklaron edhe vlerën më të larta të parave cash me rreth 18 milionë lekë.

Likuiditetet cash të gjyqtarëve të Kushtetueses në 31.12.2015

E dyta në listë me rreth 14.5 milionë lekë cash të deklaruara është gjyqtarja Altina Xhoxhaj, ndërsa pas saj vjen gjyqtari Gani Dizdari me më shumë se 9 milionë lekë cash.

Paga nga funksioni përbën vetëm gjysmën e të ardhurave në portofolin familjar të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në deklaratat e tyre të pasurisë evidentohen si të ardhura edhe pagat e familjarëve, fitimi nga shitblerjet apo qiratë e pasurive, mësimdhënia apo dhuratat në cash. Ndërkohë, detyrimet më të mëdha të tyre janë kreditë bankare, detyrimet ndaj shoqërive të ndërtimin apo huamarrjet pa afat dhe interes ndaj të afërmve apo rrethit familjar.

Nga totali i deklaratave të analizuara, BIRN arriti në përfundimin se pasuria e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese reflekton një sërë trendesh të dyshimta, të cilat lidhen me mbajtjen e shumave të larta të parave cash, huamarrjes në vlera të konsiderueshme nga familjarët apo detyrime të larta të pashlyera ndaj kompanive të ndërtimit.

Por pavarësisht se këto të dhëna duhet të ngrejnë këmbana alarmi për inspektorët e kontrollit, asnjëri prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë pjesë e hetimeve për pasurinë e tyre

ME TE LEXUARAT