Miratohet ligji për azilkërkuesit në Gjermani, ja çfarë ka ndodhur

Aktualitet

Arrest dëbimi, pranga elektronike e implantuar, kontrollimi i telefonave celularë të refugjatëve, me votat e koalicionit qeverisës u miratua ligji i diskutueshëm për azilin. Rregullat e reja hasin në kritika të ashpra.

 

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Azilkërkuesit e refuzuar në të ardhmen mund të kthehen më shpejt dhe në mënyrë më konseguente nga Gjermania se deri më sot. Bundestagu (parlamenti gjerman) miratoi një projektligj të diskutueshëm të qeverisë “për zbatimin më rigoroz të detyrimit për largim nga Gjermania”.

Azilkërkuesi i refuzuar i ashtuquajtur si “rrezikues”, prej të cilit mund të pritet që të kryejë akte të rënda penale, përmes ligjit të ri mund të mbahet më lehtë në arrest dëbimi ose të mbahet nën vëzhgim përmes prangës elektronike të implantuar.

Gjithashtu në të ardhmen arresti për dëbimin do të jetë i mundur edhe nëse dëbimi nuk mund të realizohet brenda tre muajve. Kohëzgjatja maksimale e arrestit për dëbim do të zgjatet nga katër në dhjetë ditë. Përveç kësaj Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (Bamf) ka të drejtën, që të verifikojë telefonat celularë, tabletat dhe laptopët e azilkërkuesve pa dokumenta identifikimi, për të verifikuar identitetin e tyre.

Projektligji ashpërsohet edhe më shumë para miratimit

Kush jep të dhëna të rreme për identitetin e vet, duhet të llogarisë me kufizime në lirinë e lëvizjes. Kjo vlen për migrantët, që nuk kanë leje qendrimi në Gjermani, por edhe për ata që nuk largohen vullnetarisht nga Gjermania. Azilkërkuesit pa perspektivë qendrimi duhet të mund të detyrohen, që deri në fund të procesit të azilit të qendrojnë në strehimoret e pritjes fillestare.

Federata dhe landet parimisht ranë dakord për këtë paketë qysh në muajin shkurt. Megjithatë koalicioni të mërkurën (17.05)shtoi në projektligj edhe një sërë rregullash të ashpërsuara. Këto janë ndër të tjera rregulla p.sh. që duhet të ndalojnë, që migrantët përmes njohjes abuzive të atësisë të arrijnë të përfitojnë lejen e qendrimit. Po ashtu është lehëtsuar mundësia e krahasimit të të dhënave me shtetet e tjera për Zyren Federale të Kriminalistikës (BKA).

Kritika të ashpra nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe shoqatat sociale

Organizatat e të drejtave të njeriut, shoqatat sociale dhe opozita e kritikuan ashpërsimin e ligjit të azilit duke e quajtur atë si një cënim të të drejtave themelore për njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje. Maria Scharlau nga Amnesty International theksoi ndër të tjera, se rregullat për smartphone-t nënkuptojnë “një ndërhyrje masive në sferën private të dhjetra mijëra njerëzve”, kjo pa u kushtëzuar me rregulla të forta.

“Ky ligj e kthen Gjermaninë nga një vend i pranimit në një vend të dëbimit”, deklaroi organizata Pro Asyl në Berlin. Kjo organizatë kritikoi gjithashtu edhe përzierjen mes së drejtës për të huajt me atë penale. Presidenti i Caritas-it Peter Neher kritikoi, që ky ligj është disproporcional dhe i vendos refugjatët nën dyshim kolektiv për fshehje të identitetit.

De Maizière i hedh poshtë kritikat

Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière si dhe deputetë të unionit konservator CDU/CSU dhe të partisë socialdemokrate e mbrojtën ligjin e ri. “Linja jonë është e qartë: ndihmë dhe integrim për ata që kanë nevojë për mbrojtje, ashpërsi dhe kthim për ata që nuk kanë nevojë për mbrojtje dhe veçanërisht ata, që mashtrojnë, dhe kryejnë vepra penale”, deklaroi de Maizière. Sipas tij nuk mund të pranohet, që “azilkërkuesit sipas qejfit dhe pa u ndëshkuar të deklarojnë emra të ndryshëm dhe nënshtetësi të ndryshme”, me shpresën, se kështu do t’i shpëtojnë dëbimit.

ME TE LEXUARAT