Një kompani arabe premton një kullë në Tiranë, kërkon parajsë fiskale për 15 vjet

Aktualitet

Privatizimet me ligj të veçantë dhe pa garë duket se po kthehen në modelin e rradhës të të bërit biznes në Shqipëri. Pas ligjit, (deri tani të dështuar) për ndërtimin e një porti privat në brigjet e Kavajës, të njohur si “Porti i Karpenit”, qeveria ka propozuar një projektligj të ri në kuvend në bazë të së cilit pret të marrë miratimin për t’i falur një kompanie arabe 25 mijë metra katrorë truall në Tiranë si dhe ta përjashtojë atë nga taksat e tatimet për deri 15 vjet në shkëmbim të ndërtimit të një kulle, në të cilën, raportohet se Bashkia e Tiranës do të marrë një sasi të papërcaktuar mjedisesh falas.

Projektligji, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më 4 prill nga Këshilli i Ministrave, synon të autorizojë qeverinë të krijojë një grup ndërinstitucional që do të ketë për detyrë të negociojë drejtpërsëdrejti me kompaninëAl Habtoor Investment LLC nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhënien e tokës falas dhe lehtësive fiskale për ndërtimin e kullës që në projektligj quhet “Kulla Ikonike” e Tiranës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Komisioni i Negocimi të Marrëveshjes sipas projektligjit duhet të kryesohet nga një përfaqësues nga Ministriae Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ndërsa në grupin negociator do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës dhe Avokatura eShtetit.

Sipas relacionit, kompania e Emirateve ka kërkuar 25 mijë metra katrorë tokë falas, të cilat, me çmimet aktuale të tregut kushtojnë së paku 10 milionë euro si dhe “përjashtimin nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimimbi fitimin apo çdolloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi iveprimeve tregtare”.

Forma e të bërit biznes “me ligj të veçantë” pa përdorur as ligjin e prokurimit publik dhe as ligjin për partneritetin publik-privat është një praktikë relativisht e re që po përdoret nga qeveria aktuale për të kryer biznes me asetet publike pa garë, qoftë kjo edhe garë sa për sy e faqe, siç janë zakonisht tenderët në Shqipëri. Dhe përveç problemit të garës, nisma ka gjasa të shkaktojë telashe të tjera për operatorët e tjerë në treg. Në Tiranë ka një numër operatorësh që kanë ndërtuar kulla apo hotele, ndërsa përjashtimi i një operatori të vetëm nga taksat e tatimet për 15 vjet ka gjasa që do të shkaktojë shtrembërime në kushtet e konkurrencës.

Bulevardi-i-RiNdërtimi i një kulle nuk është kurrë gjë e keqe në vetvete, me përjashtim të rasteve kur një kullë e tillë mbetet pa përfunduar, siç kanë mbetur pa përfunduar disa kulla të tilla në Tiranë, Durrës apo Vlorë. Arsyeja se pse këto kulla kanë mbetur pa përfunduar lidhet me faktin e thjeshtë se ndërtime të tilla janë paksa të parakohshme në kushtet e Shqipërisë, një vend ende i varfër me një treg shumë të kufizuar luksi. Në këto kushte, është e dukshme se pse investitori nga Emiratet e Bashkuara Arabe, përveç interesit për të ndërtuar një kullë, kërkon që këtë kullë ta paguajnë shqiptarët, përmes taksave të falura. Kërkesa për t’u përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar p.sh, ka gjasa që bie ndesh edhe me parimin themelor të trajtimit të barabartë të tatimpaguesve. Trajtimi i diferencuar fiskal mund të justifikohet në rastet kur përfitimet i përkasin një sektori, por kurrsesi vetëm një projekti dhe një investitori.

Nga ana tjetër, nuk është e qartë nëse një sipërfaqe toke me përmasa 25 mijë metra katrorëështë aktualisht nën pronësi publike në zgjatim të bulevardit, apo është nën pronësi private dhe qeveria ka ndër mend ta shpronësojë. Shpronësimi në Shqipëri justifikohet “për interes publik” dhe “përkundrejt kompensimit të drejtë”, parime me të cilat projekti aktual ka gjasa nuk përputhet. Ndërtimi i një kulle, sado ikonike të jetë, nuk mund të përbëjë “interes publik” dhe të paguhet nga taksat e të gjithë shqiptarëve.

Për më tepër, ligjet, si ato që miratohen në Kuvendin e Shqipërisë, teorikisht duhet të qeverisin mbi të gjithë shoqërinë njëherësh. Por qeveria aktuale duket se e mendon si të vlefshme parimin që një investitor të ketë një ligj të tijin, ndërsa pjesa tjetër e vendit të ketë ligje të tjera. Investitori në fjalë do të ketë jo vetëm një ligj më vete por edhe regjim taksash më vete, një lloj parajse fiskale të ngjashme me sulltanatet apo mbretëritë absolute, ku mbreti përcakton se çfarë asetesh do të shfrytëzojë një individ dhe çfarë trajtimi fiskal do të ketë ky individ.

Projektligji i propozuar nuk merr gjithashtu mundimin të sqarojë kostot dhe përfitimet. Kjo ka gjasa që bie ndesh me ligjin organik të buxhetit, të cilin kuvendi aktual e ndryshoi me këshillën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin saktësohet se çfarëdolloj projekti me kosto publike, duhet t’i nënshtrohet, jo vetëm garës, por edhe vlerësimit të kostove dhe përfitimeve publike. Të gjitha këto parime duket se nuk vlejnë. Qeveria ka vendosur t’i japë vetes tagrin e pronarit, njësoj si Emirët e Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët mund të zgjedhin sipas qejfit të negociojnë të mirën publike si të qe pronë private.

ME TE LEXUARAT