U përdor për delegacionet e huaja, zbulohet pronari i makinës ku u vra Dalipaj

Aktualitet

Policia kërkon verifikimin e GPS të makinës “Audi s8” dhe kërkon dëshminë e pronarit Ergys Hoxha për qëranë e makinës

Ditën kur është ekzekutuar me 32 plumba ish-oficeri i policisë Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti, pronari i “Audit s8” që përdorej nga dy viktimat ka qenë në Gjermani. Nga të dhënat policore, por edhe nga një verifikim në profilin e “FB” të Ergys Hoxhës, rezulton se në 25 prill 2017, ai ka qënë në Dietzenbach të Gjermanisë, dhe pikërisht në terminalin e kompanisë “Audi”. Prej datës 25 prill, policia dhe prokuroria e Durrësit kanë kërkuar të marrin dëshminë e Ergys Hoxhës, por ky i fundit ndodhet jashtë shtetit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Anëtarë të grupit hetimor që është ngritur për hetimin e vrasjes së dyfishtë kanë marrë kontakte në telefon me Ergys Hoxhën, i cili nga Gjermania mësohet se i ka konfirmuar se automjeti ishte në pronësi të tij dhe se e kishte lëshuar me qira tek një person, emri i të cilit nuk bëhet publik nga policia. Deri në këto momente nuk dihet nëse Ergys Hoxha, është kthyer në Shqipëri dhe nëse ka dhënë dëshmi para grupit hetimor.Dëshmia e tij mund të ndihmojë hetuesit lidhur me identifikimin e autorëve. Policia shprehet se do marrin të dhënat e GPS të makinës “Audi s8” për të parë në mënyrë kronologjike vendodhjen dhe lëvizjen e saktë, që kanë bërë dy viktimat Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti ditën e krimit dhe jo vetëm. Ndërkohë burimet shtojnë se Ergys Hoxha, njihet si posedues i makinave të shtrenjta dhe luksoze të cilat i lëshon me qira. Nuk dihet nëse Hoxha ka pasur takim direkt me të kërkuarin e drejtësisë Ervin Dalipaj, por kjo mbetet për tu verifikuar nga policia dhe prokuroria e Durrësit.

Makina për delegacionet e huaja në Shqipëri

Sipas policisë Hoxha njihet dhe si person që me automjetet e tij, ka bërë disa herë shoqërimin e delegacioneve të huaja që kanë vizituar Shqipërinë. Hoxha është kontraktuar nga qeveria shqiptare, të cilës i ka vënë herë pas here në dispozicion makina të blinduara, me qëllim transportimin e delegacioneve të huaja që kanë vizituar Shqipërinë. “Shqiptarja.com” zotëron disa fotografi të Ergys Hoxhës, ku me një automjet BMë të blinduar ka shërbyer për llogari të qeverisë shqiptare, ku ka shoqëruar delegacionet e huaja në kryeministri, presidencë, dhe institucione të tjera. Ndërkohë në profilin e tij në “FB” Ergys Hoxha rezulton të ketë udhëtuar me makinën tip “Audi S8”, duke postuar video dhe fotografi të makinës me targa AA 111 OI.Veç shërbimeve qeveritare që ka kryer me automjetet e tij të blinduara, burime policore thanë se Ergys Hoxha, i jepte makinat me qira dhe tek persona me precendë kriminale. Individë që i ndruheshin një hasmërie të mundshme dhe të një sulmi me armë shpesh herë, siguronin makina tek ky person. Një ndër ta thanë burimet policore, ka qenë dhe shtetasi Elton Çiço nga Tepelena, i vrarë një vit më parë. Çiço i ndruhej një hakmarrje nga grupi rival dhe për pasojë ka kërkuar një automjet të blinduar.

“Shkulet” serveri ku ndodheshin filmimet

Megjithëse zona ku është bërë ekzekutimi i Ervin Dalipaj dhe shokut të tij, Juxhin Dauti është e mbuluar me biznese që survejohen nga dhjetëra kamera, prokuroria ka mundur të sekuestrojë vetëm një video, që tregon momentin e largimit të automjetit. Makina prej nga është qëlluar 32 herë me kallashnikov drejt dy personave është e tipit “BMë X5” dhe se ajo është kapur teksa lëviz me shpejtësi. Nga ana tjetër policia ka kërkuar kamerat e sigurisë të servisit ku vajzat dhe dy viktimat kanë shkuar për të tërhequr makinën tip “Smart”. Pronari i servisit, s’ka pranuar të bashkëpunojë me grupin hetimor, pasi u ka deklaruar se biznesi i tij është I rrethuar me kamera sigurie, por ai nuk ka të instaluar një server që mban në ruajtje pamjet filmike. Policia dyshon se serveri është zhdukur menjëherë pas vrasjes nga pronari i servisit, nga frika e një hakmarrje të mundshme kundër tij, nga autorët e krimit të rëndë, citon shqiptarja. Pavarësisht kësaj grupi i hetimit megjithatë shpreson të grumbullojë filmime të tjera sigurie nga kontrollet që po ushtrohen në disa biznese përgjatë rrugës dytësore të Sukthit. Në këtë mënyrë, hetuesit shpresojnë të bien në gjurmët e dy automjetet në të cilat ndodheshin vrasësit e Dalipajt dhe Dautajt. Automjetet njëra “X5” dhe tjetra “Audi” janë përshkruar nga dëshmitarë okularë që panë skenën, se si u zbrazën breshëritë e automatikut mbi dy shokët.

Takimi

Nuk dihet nëse Hoxha ka pasur takim direkt me të kërkuarin e drejtësisë Ervin Dalipaj, por kjo mbetet për tu verifikuar nga policia dhe prokuroria e Durrësit.

Në telefon

Anëtarë të grupit hetimor që është ngritur për hetimin e vrasjes së dyfishtë kanë marrë kontakte në telefon me Ergys Hoxhën, i cili nga Gjermania mësohet se i ka konfirmuar se automjeti ishte në pronësi të tij.

ME TE LEXUARAT