Basha: Shqiptarët nuk kërkojnë lëmoshë, por zgjidhje

Politikë

bashaKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar turin elektoral në Cërrik dhe Peqin. Ai tha se ka ndodhur, që një qeveri apo një i votuar të mos arrijë të mbajë dot të gjithë premtimet, por nuk ka ndodhur kurrë në një vend demokratik, që një qeveri të shkojë në drejtimin e kundërt të premtimeve të saj, siç ka ndodhur sipas tij, me dyshen Rama-Meta.

Basha theksoi se, ata premtuan uljen e çmimit të dritave por e rritën atë, siç rritën çmimin e naftës, taksat, papunësinë dhe varfërinë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“U gënjen mendja se ku me presione, ku me shantazhe, ku me sondazhe, ku me thesin e miellit e ku me paratë do të arrijnë të blejnë varfërinë që mbollën në këto dy vite drama e çdo nëne, e çdo gruaje, shumë prej të cilave janë marrë e çuar në biruca, sepse lidhnin energjinë për fëmijët e sëmurë, të tjera që dhuronin gjakun sepse nuk kishin me çfarë të paguanin faturat e energjisë e mijëra të tjera që janë pa punë, enden pa shpresë në kërkim të një kothere bukë për fëmijët e tyre. Ky është realiteti, këto janë hallet, problemet, papunësia, varfëria, kriza ekonomike. Kjo është gjëma e dyshes Rama-Meta që erdhi me premtime të mëdha para dy vitesh. Dinjiteti i nëpërkëmbur i kryefamiljarëve nuk është në shitje më 21 Qershor, por do të ndëshkojë me votë ata që e shkelën, ata që e nëpërkëmbën", deklaroi Basha.

Basha shprehu vendosmërinë tij dhe të PD-së për të luftuar deri në realizimin e plotë të ofertës së demokratëve për ulje taksash, çmimesh dhe rritjen e punësimit.

“Do të luftoj deri në fund, deri në fitore për të ulur çmimin e energjisë me 25%, për të falur kamatë-vonesat, për të rritur rrogat e pensionet, për të rritur ndihmën ekonomike dhe për të shtuar në listën e ndihmës ekonomike të gjithë ata që u hoqën me të padrejtë, për të qëndruar në krah të më të pamundurve, duke ulur me 20% çmimin e miellit, orizit, sheqerit, vajit, vezës, qumështit dhe mishit përmes heqjes së TVSH-së”, tha Basha.

Fatin e betejës, më 21 Qershor nuk e vendosin as kërcënimet e Edi Ramës, as paratë e pista të krimit, u shpreh më tej Basha, por e vendos rruga e zgjidhjes për të dalë nga varfëria e ulur sipas tij këmbëkryq dhe situata që nuk kërkon lëmoshë, por zgjidhje me punë, dinjitet e respekt.

“Ne e kemi rrugën e daljes nga kjo krizë, kemi vizionin, kemi vendosmërinë dhe do ta ofrojmë atë e me votën tuaj do të hapim një rrugë tjetër. Kjo është rruga e uljes së taksave, kjo është rruga e uljes së çmimit të energjisë e cila është dyfish më e lartë se në çdo vend tjetër në Ballkan, kjo është rruga e një fondi të trefishuar për bujqësinë por që vjen drejtpërdrejt tek fermerët e nuk shkon në një grusht njerëzish që abuzojnë paratë e taksave tuaja, kjo është rruga e punës, punësimit për të gjithë të papunët e Peqinit e në veçanti për rininë punëtore e fisnike të Peqinit”, shtoi Basha.

ME TE LEXUARAT