Milot Rashica: Dua të luaj me Shqipërinë në Europianin 2016

Sport

rashica2016Milot Rashica mbylli një sezon të jashtëzakonshëm. Edhe pse skuadra e Vitesses nuk arriti të sigurojë një biletë për Europa League, 19-vjeçari konfirmoi talentin e tij brenda një sezoni të vetëm.

Faqja zyrtare e klubit të Vitesses në Youtube i kushtoi një speciale anësorit të kombëtares shqiptare për të rrëfyer e të gjitha momentet speciale të këtij sezoni.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Është një moment fantastik. Erdha në provë këtu te Vitesse ku u stërvita 2-3 javë me skuadrën e dytë ku luajta disa miqësore dhe më pas u bashkova me skuadrën e parë ku u stërvita për dy javë dhe më pas nënshkrova kontratën”, tregon fillimet Rashica.

19-vjeçari u shpreh se nuk e priste një sezon të tillë, pasi mendonte se do të duhej kohë për të bindur trajnerin për një vend në formacionin e Vitesse.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk e prisja se do të zhvilloja një sezon të tillë. Mendoja se pas 1 apo 2 vitesh në ekipin e dytë më pas do të luaja disa minuta në ekipin e parë, por as unë vetë nuk e prisja që gjithçka të konkretizohej brenda një periudhe kaq të shkurtër”, vijoi Rashica.

Pas çdo goli, Rashica nuk ngurron të festojë me shqiponjën e flamurit kuqezi. Ai shpjegon për gazetarin holandez arsyen se përse ka zgjedhur të festojë në këtë mënyrë.

“Festoj duke bërë shqiponjën sepse është simboli i vendit tim. Kur erdha këtu askush nuk më njihte dhe dëshiroja t’u tregoja se nga vija”, tha 19-vjeçari.

Edhe pse debutimin me Kombëtaren Shqiptare e ka bërë, Rashica nuk është ende i sigurt për një thirrje nga De BIasi në Euro 2016, por sulmuesi i lindur në Kosovë, ashtu si në fushën e lojës, tregohet altruist.

“Shpresoj që të shkoj në Francë por nuk e di nëse do të ndodhë. Edhe nëse nuk grumbullohem, shpresoj që Shqipëria të luajë një futboll të mirë dhe të japë më të mirën. Në futboll asnjëherë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Jemi në një grup të vështirë me Rumaninë, Zvicrën dhe Francën por ne kemi një skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim mbanë”, shprehet futbollisti.

Në fund, Rashica flet edhe për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se aventura e tij do ta vazhdojë në Holandë.

“Po shikojmë përpara për sezonin e ardhshëm. Jemi një skuadër e mirë. Nëse shkoj në Francë do të rikthehem në Korrik për të nisur stërvitjen dhe për të zhvilluar një tjetër sezon pozitiv”, deklaroi Rashica.

ME TE LEXUARAT