Lajm i keq për Kombëtare, ja futbollisti që rrezikon të mos luajë në "Euro 2016"

Sport

taulant-xhaka2015Dhimbje kokë për Shqipërinë përpara startit të Kampionatit Europian. Dëmtimi muskulor që Taulant Xhaka pësoi në minutat e para të ndeshjes me Sionin, rezultoi më shqetësues nga sa u mendua fillimisht.

Pasi festoi titullin e 7-të radhazi kampion të Zvicrës, klubi i Bazelit njoftoi zyrtarisht se mesfushori shqiptar do të qëndrojë disa javë larg fushave, por pa specifikuar ekzaktësisht afatin kohor.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas vizitave mjekësore, vetë 25-vjeçari bëri të ditur se do të qëndrojë 4 javë jashtë fushave të lojës, por frika është se Taulantit mund ti nevojitet edhe më tepër kohë për të qenë gati për ndeshjet në Grupin A të Euro 2016.

Nga dëmtimi në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, mesfushori do të humbasë fundin e sezonit me Baselin, por pritet të mungojë edhe në miqësoret që Shqipëria do të zhvillojë përpara evenimentit në Francë.

E sigurt duket që Xhaka nuk do të luajë ndaj Katarit më 29 Maj, por edhe në ndeshjen e fundit testuese me Ukrainën, më 3 Qershor në Bergamo të Italisë.

Mungesa një-mujore nga fushat, do të thotë se lojtari që cilësohet edhe si shpirti i mesfushës kuqezi, duhet të jetë i rikuperuar një javë përpara ndeshjes së 11 Qershorit, ku Shqipëria debuton në Euro 2016 përballë Zvicrës.

Taulant Xhaka beson se do të luajë në duelin përballë vëllait të tij, Granitit. Por, deri në atë kohë, Kombëtarja shqiptare mban frymën dhe pret me ankth lajme pozitive.

ME TE LEXUARAT