Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

FMN i lëvron qeverisë dy këstet e tjera

fmnBordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi në mbledhjen e tij të djeshme rishikimin e ecurisë së ekonomisë së Shqipërisë në bazë të programit tre vjeçar të asistencës nënshkruar me qeverinë shqiptare në shkurt të vitit 2014.

Programi parashikon një mbështetje financiare prej 295,42 milionë SDR e barabartë me 330.9 milionë euro në kohën e nënshkrimit dy vjet më parë, lëvrimi i së cilës është i ndarë në 9 këste, transmeton Zëri i Amerikës. Me vendimin e mbrëmshëm, bordi i FMN-së i hapi rrugë lëvrimit të këstit të pestë dhe të gjashtë që në total shkojnë afërsisht 72,4 milionë euro, duke bërë që shuma e dhënë deri tani të jetë afërisht 226.8 milionë euro.

Sipas zëvendësdrejtorit për Menaxhimin, Min Zhu, “rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është në rrugën e duhur, por rreziqet janë të pranishme”. Sipas tij autoritetet shqiptare kanë treguar angazhim “të fortë” në zbatimin e marrëveshjes “përfshirë zbatimin e reformave strukturore ambicioze dhe të vështira. Autoritetet – shtoi më tej zoti Zhu – duhet të ngulmojnë në programin e tyre të reformave, dhe mbështetur në përparimin domethënës të deritanishëm, të shtyjnë përpara potencialin e rritjes së vendit, duke ruajtur ndërkohë stabilitetin makroekonomik”.

Zyrtari i Fondit Monetar ka vlerësuar si të përshtatshëm synimin e autoriteteve për konsolidimin fiskal, duke shtuar se “për këtë qëllim, ato duhet të shmangin përjashtimet e mëtejshme nga taksat dhe normat preferenciale të taksave. Përveç kësaj, orientimi i autoriteteve për të përmirësuar sistemin e taksave duhet të përshtatet më mirë me praktikat më të mira ndërkombëtare”, thekson FMN-ja.

Ndërsa vlerëson masat e autoriteteve për të trajtuar rreziqet fiskale, përfshirë edhe forcimin e menaxhimit financiar publik, zyrtari i FMN-së, nënvizon se “do të jetë e rëndësishme të forcohen kapacitetet për zbatimin e projekteve të investimeve publike dhe të garantohet se ndikimi i çdo projekti të ri Partneritet Publik Privat në llogaritë fiskale po vlerësohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare”.

Sipas FMN-së politikat monetare të Bankës Qendrore kanë qenë të përshtatshme, ndërsa theksohet se”forcimi i besueshmërinë së saj dhe ruajtja e pavarësisë, mbetet kritike për përmbushjen e mandatit të saj”. Fondi Monetar, nënvizon dhe problemin e kredive të këqija, trajtimi i të cilit shihet si “thelbësor për ringjalljen e kreditimit. Zbatimi në kohë dhe me forcë i strategjisë së planifikuar gjithëpërfshirëse do të jetë kyç për të adresuar këtë çështje”.

“Reforma të rëndësishme janë zbatuar në sektorin e energjisë elektrike”, thekson deklarata e zyrtarit të FMN-së, sipas së cilit “zbatimi i palëkundur i këtyre reformave dhe masave të tjera, që kanë për qëllim përmirësimin e qeverisjes së korporatave dhe mjedisin e biznesit do të jetë i nevojshëm për të nxitur rritje të fortë dhe me bazë të gjerë “.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet