PD letër Venecias: Nuk jemi dakord me draftin e reformës në drejtësi

Aktualitet

reformaKomisioni i posaçëm i reformës në drejtësi, konfirmuar tashmë për t’u mbledhur të premten, do të ketë në fokus kërkesën e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë që drafti i hartuar prej tyre për ndryshimet kushtetuese të çohet për ekspertizë në Komisionin e Venecias.

Drafti i eksperteve të nivelit të lartë është i vetmi dokument që do jetë në tryezën e anëtarëve të komisionit, pavarësisht se mediatikisht u bë publik edhe drafti i ministrisë së Drejtësisë, që ekspertët e nivelit të lartë thanë se kanë përfshirë në variantin final edhe disa prej propozimeve të këtij dikasteri.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Megjithatë, kjo nuk mbyll diskutimin politik, edhe brenda dy partive të koalicionit PS dhe LSI. Partia Socialiste konfirmohet se do të kërkojë që drafti të çohet në Venecia dhe vetëm pas përgjigjes nga ky organizëm të nisë diskutimi politik.

Ndërsa LSI ia ka lënë takimit të nesërm, vendimin për pozicionimin ndaj draftit final të ekspertëve. Ende nuk ka konfirmim zyrtar se cila do të jetë vota e saj për draftin final në Venecia, votë që është edhe vendimtare për të bërë shumicën në komisionin e posaçëm për shkak të përbërjes së barabartë. Mesa duket kjo ka qënë edhe çështja që është diskutuar në takimet e gjata mes kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarit Meta edhe gjatë paradites se kësaj të enjte. Pas këtyre takimeve pyetjes së Top Channel nëse anon nga Pro-ja vota e LSI-së, burimet iu përgjigjen me “besoj se PO”.

Shkaku i votës vendimtare  të LSI-së, mesa duket ka qënë edhe qëllimi i takimit të ambasadores së BE-së Romana Vlahutin në zyrën e Ilir Metës, pas takimit të tij me Ramën. Po ashtu mësohet edhe për një telefonatë të ambasadorit amerikan Donald Lu me kreun e LSI-së. Pritshmëria e Partisë Socialiste është që drafti të marrë Ok-jin e komisionit të premten, dhe përballja e qëndrimeve të bëhet pasi dy ekspertët e Venecias të kenë mbërritur në Tiranë në 21 dhe 22 janar.

Pavarësisht se cili do të jetë qëndrimet brenda mazhorancës, opozita e ka marrë vendimin e saj. Lulzim Basha i ka qëndruar deklaratës se Partia Demokratike nuk do të çojë asnjë draft të ri në Venecia, sepse siç tha, refuzonte të merrte pjesë në ballon me maska të Edi Ramës, kur detyra e tyre ishte të dërgonin atje një draft konsensual.

Ajo çfarë do të bëjë Partia Demokratike është informimi i komisionit të Venecias nëpërmjet një letre, ku do të sqarojnë me detaje pozicionin e opozitës se përse drafti që do të shkojë në Venecia nuk ka konsensusin e Partisë Demokratike dhe sesi qeveria po përpiqet të kapë politikisht sistemin e drejtësisë.

Këto qëndrime gjithashtu pritet të bëhen publike gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.

ME TE LEXUARAT