Wilton: Egoizmi dhe korrupsioni mund ta shkatërrojnë Shqipërinë

Aktualitet

wiltonPrezenca e OSBE-së në Tiranë ka qenë shumë aktive me procesin e reformës në drejtësi. Z. Wilton, zëvendës-shefi i këtij misioni mendon se kohëzgjatja e saj nuk është problem; është më mirë të bëhet mirë sesa të bëhet shpejt.

“Retorika për reformën nuk duhet të jetë aq histerike sa të mos e bëjë të mundur arsyen,” – thotë ai, duke iu drejtuar palëve dhe rreshton në këtë intervistë disa çështje. Wilton mendon se të gjithë janë përgjegjës për situatën aktuale të drejtësisë në Shqipëri, ndaj të gjithë duhet të marrin përgjegjësi për ndryshime pozitive.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Të gjithë në sistem – politikani, gjyqtari, prokurori, polici, dëshmitari… – duhet të përkushtohen për një funksionim të pakorruptuar të drejtësisë. Sistemi dëmtohet rëndë për sa kohë që cilido në sistem beson se interesi personal i korruptuar është më i rëndësishëm sesa demokracia në Shqipëri,”-thotë ai.

Institucioni juaj ka qenë shumë aktiv sa i përket Reformës në Drejtësi, e jo thjesht me sugjerime, por edhe me këshillime të vazhdueshme dhe madje prononcime të hapura. Si e shikoni procesin e sotëm të reformës në drejtësi, a nuk ju duket se po zgjat shumë?

Wilton: Në bashkëpunim me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, ne jemi mbështetës të fortë dhe aktivë të procesit të reformës, i cili po drejtohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky proces po drejtohet me dinamizëm dhe me përfshirje konstruktive të ekspertizës përkatëse. Kjo është një nismë shumë pozitive dhe e nevojshme dhe ne jemi të angazhuar të bëjmë sa mundemi që ajo të jetë e suksesshme. Më pak shqetësohem për kohëzgjatjen e saj: është shumë më e rëndësishme që të bëhet mirë se sa të bëhet shpejt. Dua të nënvizoj dy pika të rëndësishme. Së pari, reforma e sektorit të drejtësisë përmban më shumë se sa ndryshimin e ligjeve. Shqipëria ka një mjaft bazë të mirë ligjore, por edhe ligjet e përkryera janë të pavlera nëse nuk zbatohen në mënyrë të sinqertë. Një reformë domethënëse në drejtësi nënkupton ndryshime në të gjitha aspektet e standardeve dhe funksioneve të sistemit. Mbi të gjitha, do të thotë të ndryshosh përvojën e qytetarëve shqiptarë të zakonshëm kur përballen me sistemin. Dua gjithashtu të nënvizoj se reforma në drejtësi duhet bazuar jo vetëm te Kuvendi, por dhe te gjykatat e rretheve gjyqësore. Kjo është arsyeja përse puna e Prezencës së OSBE-së me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë në nivelin strategjik të reformës kombinohet me punën tonë në të gjitha nivelet, përfshirë nivelin bazë, ku, për shembull, kemi punuar me gjykatës shqiptarë në gjykata pilot për t’i ndihmuar të përmirësojnë efiçencën bazë të gjykimeve të tyre, duke përmirësuar kështu efektshmërinë dhe transparencën e proceseve gjyqësore. Është ide shumë e thjeshtë, por me ndikim të thellë. Së dyti, kushdo që është i interesuar duhet të ketë mundësinë të japë mendimin e tij në këtë proces, përfshirë këtu profesionistët përkatës dhe, patjetër, edhe qytetarët shqiptarë. Jam i lumtur që Prezenca e OSBE-së ka mundur të organizojë disa seanca konsultimi për të ndihmuar këtë proces.

Ka një ndarje të madhe të palëve në politikë në Shqipëri, një fakt që ju e kritikoni shpesh. Në këndvështrimin tuaj, ku duhet të jetë trualli i përbashkët nga duhet të nisë kjo reformë?

Wilton: Në çdo demokraci, partitë politike kanë mendime të ndryshme dhe kritikojnë njëra-tjetrën. Një gjë e tillë është normale dhe e shëndetshme: u jep qytetarëve një zgjedhje të vërtetë. Por duhet të ketë angazhim të përbashkët për të punuar për të mirën e vendit, dhe pranim se për disa çështje me interes kombëtar të vërtetë të gjitha partitë politike mund të bien dakord. Dhe kjo do të thotë që retorika nuk duhet të jetë aq histerike sa të bëjë të pamundur diskutimin e arsyeshëm. Duke parë veçanërisht reformën në sektorin e drejtësisë, kam përshtypjen se të gjithë shqiptarët ndiejnë se reforma e sistemit është shumë e nevojshme: nëse qytetarët nuk kanë besim te sistemi i drejtësisë, atëherë ata nuk mund të kenë besim te demokracia dhe vendi nuk mund të funksionojë normalisht. Shpresoj që të ketë mirëkuptim lidhur me parimet e një sistemi drejtësie funksional: pavarësi, paanësi dhe integritet. Shpresoj që të ekzistojë mirëkuptimi që ky proces është themelor për funksionimin e Shqipërisë si demokraci dhe për zhvillimin e mëtejshëm ndërkombëtar të saj, dhe që bërja e gjërave në mënyrën e duhur është më e rëndësishme sesa fitimi i pikëve në nivel politik”.

Ka një perceptim në Shqipëri se reforma sërish po bëhet nga njerëz që janë shkaktarë të kësaj gjendjeje të drejtësisë shqiptare. A mendoni se është i drejtë ky konstatim?

Wilton: Të gjithë janë përgjegjës për situatën aktuale të drejtësisë në Shqipëri dhe kjo e fundit do të reformohet vetëm kur të gjithë të marrin përgjegjësi për ndryshime pozitive. Të gjithë në sistem – politikani, gjyqtari, prokurori, polici, dëshmitari, etj. – duhet të përkushtohen për një funksionim të pakorruptuar të drejtësisë. Sistemi dëmtohet rëndë për sa kohë që cilido në sistem beson se interesi personal i korruptuar është më i rëndësishëm sesa demokracia në Shqipëri.

Cili është këndvështrimi juaj për një reformë cilësore në kushtet e Shqipërisë?

Wilton: Egoizmi dhe korrupsioni mund të shkatërrojnë Shqipërinë. Në çdo proces – nëse po gjykon një çështje gjyqësore, nëse po ju vë notat studentëve, nëse po përpiqesh që të përfundosh një procedurë burokratike, apo thjesht po nget makinën – duhet të besosh që kredibiliteti i vendit dhe funksionimi i duhur i shoqërisë shqiptare janë më të rëndësishme sesa përfitimi i ngushtë personal. Përparimi i vendit varet nga shteti i së drejtës. Me këtë dua të them jo vetëm gjykata të paanshme e të besueshme që lejojnë marrëdhëniet tregtare dhe investimet e mëdha, por një kulturë të shtetit të së drejtës ku merr pjesë çdo qytetar. “Shteti i së drejtës fillon nga ti- nga çdo veprim i secilit qytetar”

ME TE LEXUARAT