Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

PD, Alibeaj: Mungojnë provat për 30 çështje penale të trafikut të drogës

alibeajKreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi në një dalje publike se djegia e provave për bandat e trafikut të drogës brenda laboratorit kriminalistik, është padyshim një nga krimet më të rënda shtetërore në dy dekadat e fundit. “Në fillim, Ministri u mundua ta fshehë si ngjarje. Më pas kur opozita e denoncoi, pas shqetësimit që ngritën oficerët profesionistë e të ndershëm, Tahiri nxori si shkak një neon. Por edhe kjo alibi u rrëzua. Fakti është se sot mungojnë provat për 30 çështje penale, për 30 raste të trafikut të drogës”, u shpreh Alibeaj.

Sipas tij, duke qënë një institucion kyç, i një rëndësie të veçantë, shkatërrimi i provave në këtë mënyrë nuk mund të ndodhë përveçse me urdhër e me porosi nga lart.

“Ka udhëzim të veçantë policie për ruajtjen e këtij institucioni, ka kamera vëzhguese dhe siguri maksimale. Por anomalitë janë shtuar kohët e fundit, dhe bimët narkotike mbaheshin në thasë deri në 7 muaj pa iu bërë ekspertiza, ndërkohë që Kodi Procedurës Penale thotë se aktet duhen bërë brenda 3 muajve. Përpjekja për ta mbyllur si ngjarje, për ta cilësuar një defekt teknik, është një vërtetim më shumë se pas djegjes së provave për trafikantë e banda të rrezikshme në vend, qëndron Saimir Tahiri dhe Edi Rama. Laboratori kriminalistik, aty ku ruhen provat, është siguria e shtetit. Eshtë dëshmia e ekzistencës së shtetit”, u shpreh Alibeaj.

Kur bie dhe kjo instancë kyçe, vijoi ai, për luftën ndaj krimit dhe për vendosjen e drejtësisë, atëherë shteti nuk ekziston. “Ekziston një shtet tjetër, ky i Edi Ramës, shtet kriminal. Shtet i mafias, i trafikantëve. Shiheni deri ku shkon shërbimi ndaj krimit, deri në asgjesimin e provave në laboratorin kriminalistik, që bandat e trafikantët ti shpëtojnë ligjit. Kjo është një nga çështjet më serioze sot të vendit. Prokuroria duhet të bëjë hetime energjike, të plota e të pandikuara nga segmentet e qeverisë, nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama, që janë vetë të përfshirë në këtë krim të madh”, nënvizoi Alibeaj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.