Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Pas mbylljes së negociatave, Qeveri-FMN: Shqipëria i ka arritur objektivat

fmnMinistri i Financave, ai i Ekonomisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dolën së bashku në një konferencë për shtyp pas takimit me misionin e FMN-së në vendin tonë. Shpëtim Cani, Arben Ahmetaj dhe Gent Sejko u shfaqën optimistë për rritjen ekonomike të vendit.

“Investitorët kanë besim tek ekonomia shqiptare. Ekonomia dhe buxheti janë drejt zhvillimit. Reformat do të japin efektet e tyre. Buxheti 2016 që u rakordua me FMN-në nuk i rrit taksat në sektorët kyç të ekonomisë, por i ul ato. Në fund të këtij viti do të shlyhen të gjitha detyrimet e prapambetura. Kemi mundësuar që sistemi bankar të mund të kreditojë më shumë biznese në vitin 2016”, u shpreh Cani.

Ndërkohë, guvernatori Sejko theksoi se “zhvillimet e fundit në Greqi nuk e dëmtuan shëndetin e ekonomisë shqiptare”, por është pasiguria ajo që vijon të frenojë investimet.

“Reformat e ndërmarra në koordinim me FMN-në kanë qartësuar hapat e mëtejshëm”, theksoi Sejko.

Ndërsa ministri i Ekonomisë tha se do të ketë investime: “Shlyerja e borxheve që na la një qeveri e papërgjegjshme është sukses i reformave. Me operacionet e saj, qeveria ka mbledhur dhe ka kursyer, ndaj dhe do të ketë investime”.

Për përfaqësuesit e FMN-së në vendin tonë, “programi ekonomik i Shqipërisë vijon të ecë sipas planit”.

“Objektivat janë arritur. Shqipëria të vijojë konsolidimin e reformave. Rritja e prodhimit të brendshëm bruto vazhdon. Ekonomia në Shqipëri në vijim do të mbështetet nga investimet e huaja”, u shprehën përfaqësuesit e FMN-së.

Leave A Reply

Your email address will not be published.