Rama: Goditja me vezë ndaj meje, kakarisje banale, njerëzit janë të lirë

Kliko per me shume info

rama-tstoryKryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin ‘Top Story’ në Top Channel, ka folur për herë të parë lidhur me incidentin e ndodhur disa ditë më parë, ku disa studentë hodhën vezë në drejtim të kryeministrit teksa ky i fundit dilte nga një aktivitet me biznesin e vogël në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale.
Kreu i qeverisë ka përgënjeshtruar pretendimin e grupit të studentëve se kanë dashur të flasin me të, ndërsa ka mohuar në mënyrë kategorike se ndaj tyre është ushtruar dhunë.
Rama e ka cilësuar një kakarisje banale gjestin e atij grupi studentësh, ndërsa shtoi se ngjarja bëri zhurmë të madhe për faktin se 2 vjet më parë kjo gjë do të ishte e paimagjinueshme, çka sipas tij tregon se sot njerëzit janë më të lirë dhe të pafrustruar.
“Pretendimi ishte gënjeshtër. Askush nuk m’u afrua siç u tha për të folur me mua, gjithçka ndodhi krejt papritur kur isha duke dalë nga takimi me biznesin e vogël. Nga deklaratat sipas tyre, në polici nuk u ushtrua dhunë, u ushtrua jashtë. Kjo gjë mund të vërtetohet fare mire nga videot fare mire nga videot që kanë qarkulluar.
Nëse ka ndodhur në një vend demokratik që një kryeministër të qëllohet dhe njerëzit e sigurisë të mos reagojnë për të marrë situatën në dorë, kjo nuk ndodh. Mund të ishte një vezë, por mund të ishte edhe ndonjë gjë tjetër. Ishte një verifikim normal. Kam dëgjuar aty fjalët më vulgare, edhe në video njerëzit i dëgjuan. Nuk e imagjinoj dot të konsiderohen studentë të denjë ata që përdorën fjalët më vulgare ndaj kujtdo, edhe ndaj kryeministrit.
Por dhunë nuk ka pasur. Studentët janë dëgjuar më shumë se sa një herë në procesin e një reforme që ka qene, në këndvështrimin tim, më gjithëpërfshirësja dhe e diktuar së bashku me reformën në drejtësi. Janë dëgjuar, stërdëgjuar të gjitha universitetet, seanca dëgjimore, ku ekipi i reformës kanë dëgjuar dhe dhënë përgjigje për gjithçka. Këta studentë janë një grup që nuk e ka pranuar për asnjë çast këtë reformë.
Reforma nuk mund t’u pëlqejë të gjithëve. Ngjarja bëri zhurmë të madhe në media pasi deri pak kohë më parë kjo ngjarje ishte e paimagjinueshme. Për mua kjo është një kakarisje banale, por në thelb tregon se sot shoqëria është shumë më e lirë dhe e pafrustruar”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek fenomeni i azilkërkuesve. Ai mbrojti qëndrimin e mëhershëm se numri më i madh i azilkërkuesve janë shtetas shqiptarë që kanë lënë Greqinë për Gjermaninë. Gjithsesi, ai njohu efektin e përkohshëm të reformave të forta në këtë drejtim.
“Jemi në një proces reformash të domosdoshme, një përpjetë që duhet ta ngjisim që të kapim një tjetër majë. Ka një të dhënë shumë të thjeshtë, si shpjegohet që shumica e shqiptarëve kanë si pikënisje Greqinë dhe kryesisht aeroportin e Selanikut. Nëse do të ishin shqiptarë që ikin nga Shqipëria nuk kanë pse të shkojnë në Selanik për të marrë avionin. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve që shkojnë në Gjermani janë emigrantë shqiptarë në Greqi, që ritentojnë Gjermaninë. Unë flas me përgjegjësi për këtë që them. Sigurisht, ka edhe shqiptarë që ikin nga Shqipëria dhe kjo nisi kur Gjermania bëri publike nevojën për një numër shumë të madh punonjësish, krah pune për t’i punësuar dhe kjo u keqkuptua pjesërisht, u manipulua, shpërdorua.
E dyta, varfëria dhe problemet sociale nuk lindën këto dy vjet. Janë plagë të rënda të trashëguara dhe raporti i BB është e provuar që nga 2008 deri në 2012 pati një rritje eksponenciale të varfërisë, ku ndikuan edhe faktorët e krizës financiare që u materializuan në rënien drastike të dërgesave të emigrantëve dhe çështje të tjera të brendshme.
Ka një fakt që këtu harrohet, kemi tashëguar një borxh të drejtpërdrejtë të fshehur prej 720 mln dollarë që e kishte futur në kolaps të gjithë ekonominë. Shqipëria sot është në sallë operacioni. Kemi ndalur hemoragjinë. Është një periudhë reformash që do të shkojë deri në fund”, deklaroi kryeministri i cili shtoi se shlyerja e borxheve të prapambetura ndaj biznesit ka dhënë efektet e veta në punësim, ndonëse të vakta.
Një tjetër akuza ndaj qeverisë është edhe dhënia e një lejeje ndërtimi Delijorgjit në Tiranë, ku kryeministri tha se janë dhënë në përputhje me ligjin.
“Nuk kemi dhënë ne leje ndërtimi në tiranë, kemi dhënë përputhshmërinë e kërkesave për leje ndërtimi që i janë bërë Bashkisë së Tiranës dhe me një sens pozitiv për të krijuar një mundësi për ekonominë dhe pasi ja kemi kthyer Bashkisë së Tiranës, ku ka qenë një dosje skandaloze, nga një numër i caktuar, është thënë që këto janë në përputhje dhe këto jo. Lejet e dhëna janë ekzekutim i një procedure të stërzgjatur. Të gjitha të tjerat ishin në shkelje të ligjit dhe mospërputhje dhe u refuzuan, ndaj u dhanë këto 6 leje. I kemi kthyer të gjitha dhe i kemi riparë dhe këto 6 kanë qenë konform ligjit”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u pyet edhe në lidhje me “Lagunën Blu” dhe lejen e dhënë atje për Aleksandër Frangajn. Rama mohoi të ketë telefonuar kreun e komunës së Golemit për të firmosur lejen për Frangajn.
“Nga pikëpamja e ligjshmërisë, aty nuk ka asnjë centim të shkeljes së ligji. Pastaj në një ndërtim me plan të miratuar, me tokë private dhe me të gjitha dokumentet në rregull, pavarësisht se mund të themi çfarë të duam sesi është privatizuar dhe si është bërë plani, të gjitha këto janë bërë nga institucionet e shtetit dhe sot ne jemi shteti. Nuk kam dhënë leje, kjo është e vërteta. A e kam telefonuar kreun e komunës? Këto janë fabula, thashetheme që nuk kanë asnjë të vërtetë”, sqaroi Rama.

loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here