"Ka ardhur koha që në Shqipëri të bëhen arrestime zyrtarësh VIP"

Aktualitet

bugajski15Analisti Janusz Bugajsi, studiues në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, thotë se Shqipëria ka shënuar përparim, përfshirë sigurimin e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian, por në një intervistë për Zërin e Amerikës ai shton se në vend vazhdojnë të ekzistojnë probleme që janë të pranishme si edhe në vende të tjera të rajonit.

Ai përmend si probleme të tilla korrupsionin, polarizimin, institucionet që nuk gëzojnë besim, mungesën e reformave në sistemin gjyqësor, dhe lidhjet me kriminalitetin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Të them të drejtën unë do të doja të shihja përsa i takon korrupsionit jo vetëm një hetim në nivelet e larta, por një arrestim, një gjyq të ndonjë zyrtari që ka vjedhur nga shteti nga republika. Për fat të keq këta personazhe shumë dredharakë edhe kur janë hetuar, arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë për veprimet e tyre”, thotë ai.

Ai shton se ka ardhur koha që njerëzit në rajon të marrin hapa të tillë që të shërbejnë si shembull që sado i lartë të jesh si zyrtar, nuk ke imunitet, por thotë se duhet që politikanët dhe vendim-marrësit të kenë vullnet të mirë, vendosmëri dhe besim në vetvete.

Analisti Bugajski thotë se vetëm mund t’i marrë me mend arsyet se pse një gjë e tillë nuk bëhet, që mund të jenë lidhje të veçanta, fakti që dikush mund të përfitojë, që dikujt mund t’i kërkohet që të mos i marrë ato masa.

“Por mendoj se ajo që është e nevojshme është një gjyq i hapur, një proces i hapur, ku një ish-ministër i qeverisë që është e qartë që ka qenë i përfshirë në korrupsion, ka vjedhur nga publiku, të marrë vendimin e drejtësisë”.

Zoti Bugajski përmend raste kur masa të tilla janë marrë si për shembull arrestimin e kryeministrit të Kroacisë për skandale korrupsioni, shkarkimin e Presidentit të Lituanisë për lidhje me biznese jo të pastra dhe proceset gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë në Rumani.

Ai thotë se populli shqiptar meriton më shumë dhe se kur shqiptarët shkojnë jashtë vendit ata janë të suksesshëm por për një arsye apo për një tjetër, institucionalisht dhe politikisht, në Shqipëri janë të ndrydhur.

ME TE LEXUARAT