PD vijon akuzat ndaj OSHEE: S'ka investuar, por ka shpërdoruar paratë

Politikë

spahoOpozita hedh poshtë shifrat e publikuara nga Qeveria në lidhje me investimet në sistemin energjitik.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho deklaroi në një dalje për mediat, se paratë e mbledhura nga aksioni kundër debitorëve të energjisë nuk u janë kthyer mbrapsht qytetarëve në formën e investimeve në rrjet.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Milionat që OSHE ka dhënë për deputetë të Edi Ramës, kandidatë për kryetarë bashkie apo donatorë të Partisë Socialiste apo LSI-së, kryesisht janë ndarë me negociim pa shpallje gare. Me porosi; hajde dhe merr nga thesi ca miliona. Kështu ka funksionuar për dy vite OSHE-ja, e cila shpërdoron milionat e gjakut të shqiptarëve, paratë qe i ka mbledhur me dhunë, me forcë, me burg. Majmen njerëzit e Edi Ramës me paratë që u morën jetën Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës. Bëjnë pasuri me këto miliona deputetë dhe klientela e Edi Ramës, teksa lihen në errësirë fëmijë të porsalindur, pleq të vetmuar dhe çohen në burg njerëzit e pamundur”, tha Spaho.

Për opozitën mjafton fakti i mosfunksionimit të hidrovoreve gjatë përmbytjeve të fundit në vend dhe ndërprerjet e energjisë për të dëshmuar se nuk është investuar në rrjet.

“Për çfarë duheshin marrë me dhunë këto para kur nuk investohet ne përmirësimin e furnizimit me energji e evidentuar tek hidrovorët që nuk punonin gjatë përmbytjeve apo tek ndërprerja e vazhdueshme e dritave kudo në vend?”, deklaroi nënkryetari i PD-së.

Spaho denoncoi si korruptiv tenderin për godinën e re të OSHEE-së dhe dy të tjerë për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike, ku sipas demokratëve në njërin ka përfituar kandidati i socialistëve në Kamëz, Safet Gjici dhe në tjetrin Pjerin Ndreu.

Por, sipas opozitës, në tortën e korrupsionit me paratë e OSHEE-së është përfshirë edhe Ilir Beqaj dhe Sadri Abazi.

“Një lukuni donatorësh, deputetësh, miqsh të Edi Ramës janë sulur e kanë mbushur xhepat me paratë e shqiptarëve, pa tender, pa garë, me negociim nëse ju mjaftojne për t’u ngopur ose jo. Si hienat merr, shqyej, mbush trastën e ik! Kjo është banda e OSHE, këto janë arritjet e mëdha të Edi Ramës. Një korrupsion i pamasë e i pështirë që tallet me skamjen dhe me jetën e qytetarëve të vendit”, tha Spaho.

ME TE LEXUARAT