Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

De Biasi: Tani vjen pjesa më e bukur…

biasi2015Kombëtarja shqiptare është e grumbulluar në Ca del Poggia, në resorin e Alberto Stocco, ku dje ka zhvilluar dy seanca stërvitore.

Nga Tirana në Paris duke kaluar nga Rua di Feletto. Ëndrra e kombëtares shqiptare për të arritur kualifikimin e parë historik në fazën finale të kampionatit Evropian të futbollit, që do të zhvillohet në Francë nga 10 qershori deri më 16 korrik të 2016-ës, kalon në mënyrë interesante nga kodrat e Trevizos.
Meritë për këtë, natyrisht, ka Gianni De Biasi që ka zgjedhur tokën e tij, për të përgatitur dy ndeshjet më të rëndësishme të sezonit për lojtarët kuqezi: ajo e të premtes në Kopenhagë kundër Danimarkës (me të cilën Shqipëria ndan vendin e dytë në kuotën e 10 pikëve) dhe ajo e të hënës së ardhshme në Elbasan kundër Portugalisë kryesuese të Cristiano Ronaldos.

Kombëtarja shqiptare është e grumbulluar në Ca del Poggia, në resorin e Alberto Stocco, ku dje ka zhvilluar dy seanca stërvitore. Program që do të përsëritet edhe sot, ndërsa nesër, para fluturimit për në Danimarkë, është parashikuar të zhvillohet stërvitja e fundit në qendrën sportive Rua di Feletto. Një zgjedhje e zemrës, por edhe e logjikshme.

“Kemi shumë lojtarë që luajnë në Francë, Itali dhe Zvicër, përveç atyre që luajnë në Shqipëri, natyrisht”, ka shpjeguar trajneri De Biasi. “Për këtë arsye më është dukur e natyrshme të gjenim një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë”. Punë në shtëpi jo vetëm për Gianni De Biasi, por edhe për përgatitësin atletik Alberto Belle, i lindur në vendin ku ndodhet kombëtarja aktualisht.

loading...

Rekomandojme

Në rolin e ndihmës trajnerit, ish-mbrojtësi i Interit, gjithashtu edhe komentator televiziv, Paolo Tramezzani, të cilit, prej pak kohësh, i është bashkuar edhe Erjon Bogdani, ish-sulmuesi i kuqezinjve. “Një grup shumë i mirë pune, me të cilët po marrim gëzime të mëdha”, ka thënë trajneri. Duke filluar nga vendi i dytë aktual në Grupin I të fazës kualifikuese për në Euro 2016, fryt edhe i fitores së madhe në Portugali.

“Po, nuk e mohoj se jemi në një pozicion shumë të mirë, por pjesa më bukur vjen tani, ndër të tjera në një periudhë të veçantë të sezonit”, ka pranuar De Biasi. “Do të më pëlqente të merrnim një rezultat pozitiv me Danimarkën me të cilën luftojmë për vendin e dytë dhe të tretë. Por nuk do të jetë e lehtë, sepse ata kanë lojtarë që aktivizohen në Premier League ose në Bundesliga”.

“Për këtë arsye kanë disa javë më shumë që përgatiten në krahasim me lojtarët e mi. Të shohim. Një rezultat pozitiv në Kopenhagë do të na jepte besim dhe entuziazëm edhe për sfidën pasardhëse kundër Portugalisë”. E kotë të theksohet se trajneri i Shqipërisë ka shumë besim te lojtarët që aktivizohen në Itali, nga portieri Berisha (Lazio) te Hysaj (i sapo transferuar te Napoli nga Empoli).

“Cana dhe Basha janë dy lojtarë të rëndësishëm. Gjendja e skuadrës është e mirë, me përjashtim të disa problemeve të vogla për shkak dëmtimi ose për faktin se disa lojtarë sapo kanë gjetur ekip. Kam besim”, ka përfunduar De Biasi. Vendi i dytë vlen kualifikimin në Euro 2016-të, por edhe i treti do t’i jepte mundësinë kuqezinjve të luanin shanset e tyre në playoff, që do të ishte një arritje historike.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet